Në prag të takimit të parë Trump-Xi

Amerika

Në prag të takimit të parë Trump-Xi

Më: 4 prill 2017 Në ora: 19:41
Donald Trump dhe Xi Jinping

Të enjten presidenti Donald Trump do të zhvillojë takimin e tij të parë me presidentin kinez Xi Jinping. Bisedimet e tyre në vendpushimin e presidentit Trump në Mar-a-Lago, mund të mos jenë aq të ngrohta sikurse moti në Florida. Korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Steve Herman na sjell një parashikim të asaj që pritet të ndodhë në dy ditë bisedime.

Presidenti Trump shkroi në Twitter parashikimin e tij për takimin e parë me presidentin kinez. Ai tha se do të jetë një diskutim "shumë i vështirë" në kushtet kur Shtetet e Bashkuara, siç shprehet presidenti, "nuk mund të kenë më defiçit tregtar dhe humbje të vendeve të punës."

Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump u tha prodhuesve me qendër në Shtetet e Bashkuara, se do të ishte "interesante" të ndiqnin takimin e tij në Florida me presidentin Xi.

"Mezi pres të takohem me të dhe delegacionin kinez. Do të shohim çfarë do të ndodhë."

Me gjasë, udhëheqësi kinez nuk do të vijë duarbosh.

"Parashikoj se kinezët do të dërgojnë presidentin Xi këtu, me një “dhuratë” mjaft të madhe dhe bujare, në aspektin e investimeve në infrastrukturën e brendshme të Shteteve të Bashkuara si dhe për të ndihmuar presidentin Trump për të krijuar vende pune, siç u ka premtuar votuesve", thotëYun Sun e qendrës “Stimson”

Analistë të mardhënieve me Kinën, paralajmërojnë se jo gjithshka mund të shkojë sipas skenarit, pasi në këtë fazë të hershme të administratës Trump jo gjithshka është shkruar.

"Sigurisht, mund të ndodhë diçka e paparashikueshme. Një tweet mund të ndryshojë drejtimin e takimit. Do të ketë shumë ankesa pa shumë negociata dhe kinezët mund të largohen nervozë e të shqetësuar. Pra, situata mund të përkeqësohet”, thotë Scott Kennedy, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer vuri në dukje disa "probleme të mëdha" mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

"Gjithshka, nga Deti i Kinës Jugore, tek tregtia, tek Koreja e Veriut. Janë çështje të mëdha të sigurisë kombëtare dhe ekonomike që duhet të marrin përgjigje. Do të ketë shumë çështje në tavolinë në dy ditë bisedime”.

Përpara se të merrte drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, presidenti ka folur ashpër në lidhje me Kinën. Ai u zotua për masa ndëshkuese tregtare. Por deri tani nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.

"Nuk është vendosur tarifa prej 45 për qind ndaj eksporteve kineze për në Shtetet e Bashkuara. Po kështu nuk janë marrë as masat ndaj manipulimit të monedhës”, Yun Sun, qendra “Stimson”.

Komentet kontradiktore të presidentit Trump lidhur me politikën e "një Kine", një çështje shumë e nxehtë për Pekinin, që e konsideron Tajvanin provincë që kërkon shskëputje, do të shqyrtohen gjithashtu nga afër, këtu dhe përtej Paqësorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat