Trump i bëhet thirrje të ngrejë çështjen e të drejtave e njeriut në Kinë

Amerika

Trump i bëhet thirrje të ngrejë çështjen e të drejtave e njeriut në Kinë

Më: 7 prill 2017 Në ora: 18:15
Xi Jinping dhe Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti kinez Xi Jinping po takohen në Palm Beach, të Floridas, për të diskutuar çështje dypalëshe dhe globale. Zoti Xi mbërriti në Florida dje pasdite. Bisedimet me dyer të mbyllura pritet të fokusohen tek defiçiti tregtar i SHBA-së me Kinën, por do të përfshijnë me siguri edhe çështjen e Koresë së Veriut. Presidentit Trump i është bërë thirrje të trajtojë gjithashtu shkeljen e të drejtave të njeriut në Kinë.

Presidenti Trump i bëri një pritje të ngrohtë homologut kinez, pavarësisht premtimeve të tij të mëparshme për t’u përballur me Kinën për tregtinë dhe çështje financiare.

Kur mbërriti në Mar-a-Lago, Presidenti kinez u prit nga njerëz me banderola, por në rrugët pranë ishin rreshtuar edhe protestues që kritikonin gjendjen e të drejtave të njeriut në Kinë. Protestuesit për çështje të ndryshme të Kinës ishin përgatitur mirë.

“Mbërritëm dy ditë më parë. E njohim vendin dhe do të jetë e vështirë me gjithë bllokimet e rrugëve. Por ne duam t’ia bëjmë të qartë shkeljet stafit të Presidentit kinez dhe të bëjmë thirrje për drejtësi”, thotë protestuesi Xianhua Ning (Sjen Hua Ning).

Ligjvënësi nga Nju Xhersi, Chris Smith, i tha shërbimit në gjuhën kineze të Zërit të Amerikës se Presidenti Trump duhet ta ngrejë çështjen e të drejtave të njeriut me zotin Xi:

“Dimë se do të bisedohet rreth Koresë së Veriut dhe kjo është gjëja e duhur. Korea e Veriut kërcënon ekzistencën e Koresë së Jugut dhe vendeve të tjera në rajon. Por, Presidenti Trump duhet të ngrejë me forcë abuzimin me të drejtat e njeriut, siç nuk u veprua nga administrata Obama. Xi Jinping fatkeqësisht po konkuron me Korenë e Veriut në ushtrimin e torturës ndaj shtetasve të tij, në detyrimin e grave të abortojnë, si dhe në një sërë abuzimesh të tjera që janë krime ndaj njerëzimit.”

Ligjvënësi Smith tha se SHBA-ja është një treg shumë i madh për mallrat kineze, dhe Presidenti Trump mund ta shtrëngojë Pekinin të tregojë progres për të drejtat e njeriut.

Analistët thonë se Presidenti kinez ka ardhur i përgatitur për bisedime të vështira.

“Komuniteti kinez i politikës së jashtme është mobilizuar për ta furnizuar atë me informacion për mënyrat, llojin e çështjeve që mund të ngrejë, se si të nxisë një përqasje bashkëpunuese me zotin Trump. Në veçanti mendoj se kinezët e kanë dërguar këtu zotin Xi me një paketë bujare dhuratash”, thotë Yun Sun, eksperte për Kinën në Qendrën “Stimson”.

Analistja i tha Zërit të Amerikës se Presidentit Trump i duhet financim për përmirësimet në infrastrukturë që u ka premtuar votuesve dhe se kinezët mund të ndihmojnë me investime./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat