SHBA, betejë për të ndalur ekzekutimet në masë

Amerika

SHBA, betejë për të ndalur ekzekutimet në masë

Më: 10 prill 2017 Në ora: 18:03
Foto ilustrim

Avokatët që përfaqësojnë 7 të dënuar me vdekje në Arkansas, të cilët duhet të ekzekutohen brenda 10 ditësh duke nisur që nga java e ardhshme, kanë nisur etapën finale të një beteje epike ligjore për të ndaluar grupin më të madh të ekzekutimeve në historinë moderne amerikane.

Nëse avokatët dështojnë në misionin e tyre, dy të burgosurit e parë Don Davis dhe Bruce Ward do të ezekutohen me injeksion vdekjeprurës më 17 prill.

Tre ditë më vonë do të jetë radha e Stacey Johnson dhe Ledell Lee, që do të pasohen nga Marcel Williams dhe Jack Jones më 24 prill, e në fund Kenneth Williams më 27 prill. 

Duke e cilësuar situatën si “ekzekutime me ritëm industrial”, avokatët i dërguan letër guvernatorit të Arkansasit, Asa Hutchinson, ku i thonë se Shtetet e Bashkuara nuk marrin pjesë në ekzekutime masive. 

Guvernatori Hutchinson i caktoi datat në shkurt, duke thënë se të burgosurit duheshin ekzekutuar para se të skandonte sasia e fundit e ilaçit vdekjeprurës “midazolam” në fund të prillit.

Që prej vitit 1976, kur Gjykata Kushtetuese riktheu dënimin me vdekje, Shtetet e Bashkuara nuk kanë kryer kurrë kaq shumë dënime kapitale bashkë. Avokatët e të dënuarve thonë se kryerja e tyre me shpejtësi do të sjellë padyshim gabime në procedura, duke i shkaktuar vuajtje të dënuarve dhe për pasojë një ndëshkim mizor, që nuk lejohet nga Kushtetuta. 

Herën e fundit që në SHBA u tentua të ekzekutoheshin dy të burgosur brenda natës, u bënë kaq shumë gabime teknike për shkak të presionit mbi ekipin e ekzekutimit, që rezultuan në një agoni të dhimbshme prej 43 minutash për të dënuarit. 

Por veç këtij shqetësimi, ekspertët thonë se presioni është tejet i madh mbi avokatët mbrojtës, të cilët nëse nuk ndalojnë dot ekzekutimet e para, do t’iu duhet të luftojnë sërish për të ndaluar ato që pasojnë, vetëm pak minuta pasi dëshmojnë vdekjet e klientëve të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat