Micah Meyer, udhëtim nëpër thesaret e Amerikës

Amerika

Micah Meyer, udhëtim nëpër thesaret e Amerikës

Më: 7 maj 2017 Në ora: 05:39
Amerika...

Një i ri amerikan ka planifikuar udhëtime ambicioze, që do t’i mundësojnë të vizitojë më shumë se 400 pika turistike në Shtetet e Bashkuara, pjesë e Shërbimit Kombëtar të Parqeve, që mbushi 100 vjet. Nëse ia del me sukses, ai do të jetë personi më i ri në histori që e arrin këtë objektiv.

 

Mikah po përgatitet për aventurën më të madhe të jetës. Ai po planifikon t’i bjerë kryq e tërthor Amerikës dhe të vizitojë çdo pikë turistike që është pjesë e Sistemit Kombëtar të Parqeve në Shtetet e Bashkuara.

E gjithë kjo aventurë do të realizohet me një furgon të vjetër, të cilin arkitekti Kevin Wyllie po e ndihmon ta shndërrojë në një banesë ambulante.

"Po e kthejmë këtë furgon në një shtëpi të lëvizshme në të cilën të mund të jetoj për 3 vitet e ardhshme teksa udhëtoj nëpër gjithë Amerikën," shpjegon Micah.

Ky udhëtim do ta çojë Mikën në çdo shtet të Amerikës, ku ai do të vizitojë kryesisht parqet kombëtare, por edhe shumë e shumë më tepër...

“Kur e ideova këtë projekt, në fillim mendova të shkoja në 59 parqet e mëdha kombëtare: Kanioni i Madh, Acadia, Yellowstone...

Por pastaj mora vesh se rrjeti i parqeve kombëtare është më i gjerë se kaq. Ai përfshin vija bregdetare e deri te monumentet kombëtare, pika turistike historike apo fushbeteja. Është një sistem i tërë, shumë më i rëndësishëm se thjesht ca pamje të bukura”.

Vetëm 30 vjeç, i riu me origjinë nga Nebraska ka udhëtuar shpesh. Si në Shtetet e Bashkuara, edhe në vende të ndryshme të botës.

Por ky udhëtim, thotë ai, është personal.

“Im atë u nda nga jeta në moshën 58 vjeçare, përpara se të dilte në pension, kur unë isha 19 vjeç. Kjo më bëri të kuptoj se jeta është e shkurtër dhe jo gjithmonë kemi mundësi të dalim në pension apo të realizojmë ëndrrat tona.

Kështu që, për të qenë i sigurt, vendosa të bëja realitet ëndrrat e mia tani, në moshën 30 vjeçare, kur jam ende gjallë.”

Mikah e nisi udhëtimin e tij prillin e kaluar, në Washington.

“Kam jetuar në Uashington për katër vjet dhe nuk e dija se në një rreze prej 50 kilometrash nga shtëpia ime kishte rreth 40 parqe kombëtare. Shpesh njerëzit thonë: ‘Oh, nuk kam qenë kurrë në filan vend që është në fund të rrugës,’ dhe mendoj se është e lehtë të harrosh gjithë vendet fantastike pranë nesh.”

Për çdo pikë turistike ku shkon, Mikah merr një vulë speciale në “pasaportë”.

Vula e tij e parë?

“Zgjodha Monumentin e Washingtonit sepse doja diçka simbolike; diçka që të gjithë amerikanët dhe njerëzit në gjithë botën e njohin, por që ndoshta nuk e dinë se është monument kulture”.

Meyer do ta publikojë udhëtimin e tij në rrjetet sociale.

“Dua t’u tregoj të gjithëve kudo në botë se Shtetet e Bashkuara kanë këtë rrjet fantastik me parqe kombëtare që ka shumë për të ofruar përtej thjesht Kanionit të Madh, prandaj krijova një faqe të quajtur TravelBeyondConvention, si dhe faqet përkatëse në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube.”

Nëse e arrin qëllimin që i ka vënë vetes, Meyer do të jetë njeriu më i ri në moshë që viziton të 411 pikat turistike brenda rrjetit amerikan të parqeve kombëtare dhe i vetmi që e bën këtë në një udhëtim pa ndalesë.

Plani i tij është që udhëtimin ta përfundojë në Përkujtimoren e presidentit Linkoln, shumë afër vendit ku nisi udhëtimi i tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat