Trump: Do ta rikthejmë frymën dhe prestigjin e FBI-së

Amerika

Trump: Do ta rikthejmë frymën dhe prestigjin e FBI-së

Më: 10 maj 2017 Në ora: 18:00
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbrojti vendimin e tij për të shkarkuar drejtorin e FBI-së, James Comey - zyrtarin më të lartë të zbatimit të ligjit në SHBA dhe njeriun që ka udhëhequr agencinë e ngarkuar me hetimin e lidhjeve të fushatës së Trumpit me Rusinë.

Administrata Trump tha të martën se Comey është shkarkuar për shkak të keqmenaxhimit të një hetimi të emaileve të kandidates demokrate për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton, vitin e kaluar.

Administrata tha se edhe prokurori i përgjithshëm, Jeff Sessions, edhe zëvendësi i tij, Rod Rosenstein, kanë rekomanduar shkarkimin e Comeyt për këtë çështje.

Me disa postime në Twitter, të mërkurën, Trump tha se Comey "do të zëvendësohet nga dikush që do ta bëjë punën shumë më mirë, duke rikthyer frymën dhe prestigjin e FBI-së".

"Comey ka humbur besimin e gati të gjithëve në Uashington, republikanëve dhe demokratëve. Kur gjërat të qetësohen, ata do të më falënderojnë", tha Trump në Twitter.

Departamenti i Drejtësisë tha se kërkimet për një drejtor të përkohshëm të FBI-së janë në zhvillim e sipër dhe se, ndërkohë, zëvendësi i Comeyt, Andrew McCabe, do të jetë ushtrues i detyrës së drejtorit të FBI-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat