Ish-ligjvënësja Corrine Brown, fajtore për korrupsion

Amerika

Ish-ligjvënësja Corrine Brown, fajtore për korrupsion

Më: 12 maj 2017 Në ora: 20:46
Corrine Brown

Ish-ligjvënësja amerikane Corrine Brown mund ta kalojë pjesën tjetër të jetës në burg, pasi i shpall fajtore për përvetësim fondesh nga një organizatë bamirësie. Fondi kishte si qëllim t'u jepte bursa studentëve nga familje të varfëra.

Vendimi i së enjtes u mor pasi u zbulua një sistem mashtrimi nga ish-ligjvënësja 70-vjeçare Brown, dhe ndihmësi i saj kryesor. Fjala është për përdorimin e qindra mijëra dollarëve nga Fondacioni "Një Portë për Arsmimin" për mbrëmje luksoze, udhëtime dhe blerje të ndryshme. Ajo u shpall fajtore për 18 nga 22 akuzat e ngritura ndaj saj, përfshirë mashtrime në deklarimin e taksave dhe në raportimin e financave të saj në formularët e Kongresit.

“Zyrtarët e korruptuar publikë minojnë integritetin e qeverisë sonë dhe shkelin besimin e publikut; për këtë arsye hetimi i korrupsionit publik mbetet përparësia kryesore e hetimeve kriminale të FBI-së", tha përmes një deklarate agjenti i Divizionit Special të FBI-së së Xhaksonvillit, Charles Spencer.

Ky ishte akti i fundit në rënien e figurës së ligjvënëses Brown, e cila e pati përfaqësuar distriktin e Floridës që përfshin edhe Xheksonivillin, që nga viti 1993. Demokratja Brown ishte njëra prej tre afrikano-amerikaneve të vetme nga Florida, të zgjedhura në Kongresin amerikan që nga Periudha e Rikonstruksionit e shekullit të 19-të.

Gjatë seancës kur u shpall vendimi ndaj saj, ajo e shikonte gjykatësin pa ndonjë reagim të dukshëm, ndërsa në sallë mbretëronte heshtja. Më pas ajo u largua nga gjykata, duke u mbajtur pas krahut të një shoqëruesjeje, e rrethuar nga gazetarët. Disa përkrahës të saj thërrisnin: "Ne të duam Corrine!'' dhe ``Mos e humb besimin!'', ndërsa ajo u drejtua në heshtje nga një makinë që e priste.

Që kur u paraqit aktpadia verën e kaluar, zonja Brown i pati shpërfillur publikisht akuzat e qeverisë, duke thënë përmes një deklarate se ajo ishte në mesin e zyrtarëve të zgjedhur me ngjyrë, të cilët janë persekutuar. Ajo pati deklaruar pafajësinë ndaj akuzave, përfshirë atë për mashtrime, por në fakt nuk u rizgjodh më vjeshtën e kaluar, pas ngritjes së aktpadisë ndaj saj.

Një rol kyç në dënimin e zonjës Brown luajtën dëshmitë e ish-shefit të personelit të saj, Elias “Ronnie'' Simmons dhe presidentes së organizatës bamirëse, Carla Wiley. Të dy ata pranuan se ishin fajtorë pas ngritjes së aktpadive ndaj tyre për shpërdorimin e fondeve të organizatës dhe dëshmuan kundër kongresmenes Brown.

Prokurorët federalë thanë se zonja Brown dhe ndihmësit e saj e kishin përdorur fondacionin, duke përfituar prej tij një sasi parash prej 800 mijë dollarësh në periudhën 2012 deri në 2016, mes të tjerash për një turne golfi me pjesëmarrjen e njerëzve të rëndësishëm. Në aktpadinë e zonjës Brown thuhej se dega e fondacionit në Virginia kishte dhënë vetëm një bursë prej 1 mijë e 200 dollarësh ndaj një personi të paidentifikuar në Florida.

Elias Simmons tha se Brown e kishte urdhëruar të tërhiqte para nga llogaria e fondacionit.

Në dëshminë e saj Brown tha se nuk kishte qenë në dijeni të gjendjes së financave të fondacionit dhe fajësoi për vjedhjen ndihmësin e saj, Simmons. Ajo tha se ja kishte lënë hollësitë e llogarisë bankare të fondacionit Simonsit dhe personave të tjerë të punësuar atje, duke shtuar se duhet t'i kishte kushtuar më tepër vëmendje financave të saj personale dhe profesionale.

Avokati i zonjës Brown, James Smith, tha se ka në plan ta apelojë vendimin dhe shtoi se klientja e tij e respekton sistemin gjyqësor amerikan dhe vendimin e gjykatës, edhe pse nuk është dakord me këtë të fundit.

``Ajo është e fortë dhe do të luftojë për të provuar pafajësinë e saj", tha avokati Smith jashtë gjykatës. "Dhe ajo do të vazhdojë ta bëjë këtë."

Gjykatësi nuk caktoi ndonjë datë për dhënien e dënimit, i cili mund të jetë shumë vite burg./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat