Hetimi për Flynn/ Comey: Trump më kërkoi të hiqja dorë

Amerika

Hetimi për Flynn/ Comey: Trump më kërkoi të hiqja dorë

Më: 8 qershor 2017 Në ora: 05:47
James Comey

Ish drejtori i FBI-së James Comey do të dëshmojë para kongresit të enjten, ku pritet të thotë se gjatë një darke, Presidenti amerikan Donald Trump i tha se pret besnikëri nga ai.

Kështu shkruhet në dëshminë e parapërgatitur të ish shefit të FBI-së, që u publikua më herët nga komiteti i inteligjencës së senatit, me kërkesë të vetë Comey. Ashtu siç pritej, në dëshminë e Comey shkruhet se presidenti i kërkoi të hiqte dorë nga hetimi për ish këshilltarin e sigurisë kombëtare, Michael Flynn. 
James comey

"Ai më tha se shpresonte që të gjeja mënyrën për të hequr dorë nga hetimi i Flynn. Më tha se ishte një njeri i mirë dhe iu përgjigja se e dija këtë, bazuar në bashkëpunimet që kisha pasur me Flynn. Por nuk i thashë presidentit se do të hiqja dorë nga hetimi", ka shkruar Comey në dëshminë e tij.  

Në dëshmi Comey shkruan se kishte siguruar presidentin, se nuk ishte nën hetim për çështjen e Rusisë, por gjithashtu i rezistoi kërkesave të presidentit për ta bërë publike këtë, pasi nëse kjo ndryshonte në të ardhmen, FBI-së do i duhej të kthehej në hapat e saj. 

Sipas Comey, Trump e cilësoi hetimin për Rusinë, një re mbi të, që e pengonte të punonte i qetë. Në dëshmi, Comey shkruan se presidenti e kishte pyetur nëse donte të qëndronte në detyrën e tij, megjithëse disa herë më parë, i kishte kërkuar të mos dorëhiqej, por ky zhvillim e kishte shqetësuar. 

Sipas Comeyt, në këtë rast presidenti tentoi të krijonte një marrëdhënie patronazhi. Gjatë të njëjtit takim, presidenti i tha se kishte nevojë dhe kërkonte besnikëri dhe Comey u përgjigj se prej tij do të kishte gjithnjë ndershmëri. 

Pavarësisht dëshmisë së parapërgatitur, pritet që Comey të pyetet gjerësisht nga anëtarët e komitetit, për raportet e tij me presidentit, deri para shkarkimit, megjithëse duket se bombën kryesore ai tashmë e lëshoi, duke pranuar se Trump i kërkoi të hiqte dorë nga një hetim. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat