Trump shpreh shqetësim për miqësinë Mueller-Comey

Amerika

Trump shpreh shqetësim për miqësinë Mueller-Comey

Më: 23 qershor 2017 Në ora: 17:56
Mueller-Comey

Në intervistën e parë në gjashtë javët e fundit, Presidenti Donald Trump tha se është “shumë shqetësues” fakti që personi, i cili drejton hetimet për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e nëntorit është mik i ish drejtorit të FBI-së, James Comey.

Presidenti Trump u shpreh për “Fox and Friends” në kanalin Fox News se prokurori i posaçëm Robert Mueller është “shumë mik me Comey-n”, çka është shqetësuese."

Intervista, e regjistruar ditën e enjte në Shtëpinë e Bardhë dhe e transmetuar të premten në mëngjes, u publika në një kohë kur Presidenti Trump po mendon të pakësojë deri në një herë në javë daljet në media, si dhe t’u kërkojë gazetarëve t’i nisin pyetjet paraprakisht.

Ministria e Drejtësisë caktoi Muellerin si prokuror të posaçëm për të drejtuar hetimet mbi ndërhyrjen ruse, pasi presidenti Trump shkarkoi drejtorin e FBI-s Comeyn, i cili para shkarkimit, drejtonte hetimet mbi Rusinë.

Zoti Mueller dhe komisione të ndryshme në Kongres po hetojnë nëse Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit të kaluar për të ndihmuar Trumpin të fitonte, si dhe në se Presidenti me vendimet e tij, ka penguar drejtësinë.

Për muaj me radhë, Presidenti i ka cilësuar hetimet si një “gjueti shtrigash”. Presidenti Trump tha se ato janë thjesht përpjekje të demokratëve për të justifikuar humbjen e kandidates Clinton.

Një ditë pasi deklaroi se nuk zotëron regjistrime të bisedave private me Comey-n, Presidenti tha për Fox-in se ai “gjithmonë thotë të vërtetën”.

Zoti Trump ka hedhur poshtë pretendimet e Comey-t se i kishte kërkuar atij gjatë një takimi privat të zotohej për besnikëri. Kur ish kreu i FBI-së doli publikisht me këto pretendime, Presidenti shkroi në Twitter se “Comey duhet të lutet të mos kem ‘regjistrime’ të bisedave, përpara se të nxjerrë informacione të klasifikuara në media”, duke bërë shumë të dyshonin se mund të kishte regjistrime të bisedave.

Presidenti tha gjithashtu se shpreson që drejtuesja e demokratëve të pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, të mos largohet nga detyra, pasi kjo nuk i intereson republikanëve.

"Shpresoj të mos tërhiqet," tha Trump. "Do ishte një ditë e hidhur për republikanët nëse Pelosi do të tërhiqej."

Presidenti nuk la pa përmendur fitoren e republikanëve në zgjedhjet në shtetin e Xhorxhias javën e kaluar. Gjatë gjithë fushatës Partia Republikane e lidhi kandidatin demokrat Jon Ossoff me Pelosin, një politikane që republikanët e kanë kritikuar përherë si përfaqësuese e pikëpamjeve më liberale mes demokratëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat