Trump intensifikon sulmet kundër Obamës për ndërhyrjen ruse në zgjedhje

Amerika

Trump intensifikon sulmet kundër Obamës për ndërhyrjen ruse në zgjedhje

Më: 25 qershor 2017 Në ora: 20:00
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe paraardhësi tij, Barack Obama

Presidenti amerikan, Donald Trump ka intensifikuar sulmet kundër paraardhësit të tij, Barack Obama, i cili ishte informuar që prej gushtit të kaluar për një ndërhyrje të mundshme të Moskës në zgjedhjet presidenciale amerikan, duke e akuzuar se nuk kishte reaguar më herët.

“Ky është një truk i pabesueshëm. Dhe nëse e ka pasur këtë informacion, përse nuk ka bërë asgjë? Do të duhej të kishte thënë diçka”, deklaroi Trump në një intervistë për emisionin “Fox and Friends”, realizuar të premten dhe publikuar të dielën.

Sipas “Washington Post”, agjencia amerikane e hetimit CIA kishte paralajmëruar Barack Obamën që prej gushtit 2016 se piratimet ndaj partisë demokrate ishin urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin me qëllimin për të dëmtuar Hillary Clinton dhe për të ndihmuar Donald Trump për zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit.

“Një zyrtar i administratës Obama theksoi se ata e kishin të vështirë për të reaguar kundër ndërhyrjes ruse në zgjedhje. Ata nuk dëshironin të dëmtonin Hillaryn?”, theksoi drejtuesi republikan në Twitter.

““Administrata Obama ishte informuar prej kohësh për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e 8 nëntorit dhe nuk bëri asgjë për këtë. Përse?”, pyet Trump në profilin e tij në rrjetin social “Twitter.

Disa deputetë demokratë kanë shprehur keqardhje që Obama nuk kishte reaguar më herët kundër Moskës.

“Duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj, administrata duhet të kishte ndërhyrë më herët kundër Rusisë, të kishte reaguar për të vepruar dhe sanksionuar Rusinë sepse është një gabim i rëndë”, deklaroi për CNN Adam Schiff, kryetari i demokratëve në Komisionin e hetimit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Obama kishte njoftuar sanksione kundër Rusisë për këtë ndërhyrje më 29 dhjetor duke dëbuar 35 diplomatë rusë të dyshuar si agjentë rusë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat