Trump kritikon “aktivitetet destabilizuese” të Rusisë

Amerika

Trump kritikon “aktivitetet destabilizuese” të Rusisë

Më: 6 korrik 2017 Në ora: 15:17
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i bëri thirrje Rusisë “të ndalojë aktivitetet destabilizuese në Ukrainë dhe gjetkë”, si dhe të ndërpresë mbështetjen për regjimet armiqësore – përfshirë Sirinë dhe Iranin.

Në një fjalim nga sheshi Krasinski i Varshavës, Trump tha se Rusia “duhet t’i bashkohet komunitetit të vendeve përgjegjëse” në luftën kundër armiqve të përbashkët dhe në mbrojtjen e qytetërimit.

Trump u bëri thirrje aleatëve të NATO-s që t’i bashkohen SHBA-së në, siç tha, mbrojtjen e Perëndimit nga “terrorizmi radikal islamik”.

"Njëqind vjet pas hyrjes së forcave amerikane në Luftën e Parë Botërore, lidhja transatlantike midis SHBA-së dhe Evropës është më e fortë se kurrë. Ky kontinent nuk përballet më me spektrin e komunizmit, por duhet të them se ka kërcënime të mëdha për sigurinë tonë dhe për mënyrën tonë të jetesës”, tha Trump.

Presidenti amerikan po ashtu tha se të gjithë anëtarët e NATO-s duhet t’i kryejnë obligimet financiare ndaj aleancës, ndërsa lavdëroi Poloninë si njërin nga vendet e pakta që e bëjnë një gjë të tillë.

Trump e përshkroi Poloninë si aleat të vjetër të SHBA-së dhe si “një vend udhëheqës të një Evrope që është e fuqishme, e tërë dhe e lirë”.

Trump takoi më herët edhe presidentin e Polonisë, Andrzej Duda, dhe pas bisedimeve me të tha se SHBA “është e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në Evropën qendrore”.

“Jemi duke punuar me Poloninë për t’iu përgjigjur veprimeve të Rusisë dhe sjelljes së saj destabilizeuse”, tha Trump.

Kremlini reagoi menjëherë, duke thënë se nuk pajtohet me përshkrimin që i ka bërë Trumpi Rusisë dhe se i vjen keq që ka mungesë të mirëkuptimit midis Moskës dhe Uashingtonit.

Afërsia e Polonisë me Rusinë ka rritur shqetësimet për synimet e Moskës në rajon, sidomos pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska dhe mbështetjes së saj për separatistët në lindje të Ukrainës.

Trump po ashtu u tha gazetarëve në Poloni se mendon se Rusia është përzier në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, porse “edhe njerëz të tjerë, apo vende të tjera” mund të kenë ndërhyrë.

Në Varshavë, Trump mori pjesë edhe në një samit të liderëve të Evropës qendrore dhe lindore. Ai u zotua se Amerika do të jetë “aleat i fuqishëm dhe partner i palëkundur” në përpjekjet e këtyre rajoneve për të ulur varësinë nga furnizimet me gazin rus.

Të premten, Trump do të marrë pjesë në samitin e G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, që do të mbahet në Hamburg të Gjermanisë.

Në margjina të këtij samiti, Trump do të takojë edhe presidentin rus, Vladimir Putin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat