Trump, thirrje për largimin e udhëheqësit republikan të Senatit

Amerika

Trump, thirrje për largimin e udhëheqësit republikan të Senatit

Më: 10 gusht 2017 Në ora: 22:39
Mitch McConnell

Presidenti Donald Trump la të kuptohet se kreu i republikanëve të Senatit duhet të largohet nëse nuk është në gjendje të sigurojë miratimin e axhendës legjislative të Shtëpisë së Bardhë.

"Ju mund të bëni pyetjen nëse udhëheqësi i shumicës Mitch McConnell duhet të mbetet apo jo në postin e tanishëm, nëse ai nuk është në gjendje të sigurojë miratimin e një plani për të shfuqizuar dhe zëvendësuar ligjin e tanishëm të kujdesit shëndetësor, për të ndryshuar kodin e taksave dhe për të kaluar një propozim mbi infrastrukturën,” tha zoti Trump.

Presidenti i bëri komentet për gazetarët gjatë një udhëtimi 17-ditor në Nju Xhersi dhe Nju Jork, ku ai zotëron disa shtëpi banimi.

Presidenti Trump ka disa ditë që vazhdon ta kritikojë në Twitter senatorin McConnell, i cili ka një rol të rëndësishëm në avancimin e programit legjislativ të presidentit.

Nëpërmjet një mesazhi të enjten, i dyti në më pak se 24 orë, zoti Trump sulmoi zotin McConnell, pasi sipas tij ai nuk po nxit futjen e projektligjit për kujdesin shëndetësor në rendin e ditës të Senatit.

Në një tjetër koment në Twitter të mërkurën, zoti Trump e kritikonte senatorin McConnell lidhur me deklarat më të fundit të tij, sipas të cilave përvoja e shkurtër politike e presidentit kontribuoi në shanset e ulta për kryerjen e reformës në shëndetsi.

"Presidenti ynë i ri, natyrisht që nuk ka qënë më parë në këtë lloj pune. Mendoj se ai kishte pritshmëri të tepruar se sa shpejt ndodhin gjërat në procesin demokratik", u tha të hënën zoti McConnell zgjedhësve në shtetin e tij Kentaki.

Pasi tre variante republikane për të shfuqizuar ligjin e kujdesit shëndetësor të vendit dështuan në fund të muajit korrik, senatorët republikanë thanë se tashmë do të përqendrohen në të tjera çështje prioritare të përbashkëta, siç janë reforma e taksave dhe buxheti federal.

Por zoti Trump nuk ka hequr dorë nga çështja e kujdesit shëndetësor dhe vazhdon të sulmojë zotin McConnell, udhëheqës që gëzon popullaritet mes republikanëve të Senatit.

Sulmet janë një qasje e rrezikshme duke marrë parasysh vlerësimet e ulta që gëzon zoti Trump për punën e tij, nga mbështetësit e tij më të zjarrtë.

Një numër sondazhet të zhvilluara së fundmi tregojnë se numri i votuesve që dikur e mbështesnin me forcë presidentin, ka rënë./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat