SHBA: të hënën e dytë të tetorit festohet Dita e Kolombit

Amerika

SHBA: të hënën e dytë të tetorit festohet Dita e Kolombit

Më: 27 shtator 2017 Në ora: 20:45
Kristofer Kolombi

Të hënën e dytë të tetorit, amerikanët kujtojnë Ditën e Kolombit, një festë federale që shënon “zbulimin” e Amerikës nga eksploruesi Kristofer Kolombi.

Por prej kohësh, kjo ditë ngjall trishtim dhe zemërim tek popullsia indigjene e Amerikës që thotë se kjo anashkalon masakrën e madhe dhe shfrytëzimin e popullsisë vendëse në hemisferën perëndimore nga eksploratorët spanjollë të sendeve me vlerë dhe pasurive.

Gjatë shekujve, Kolombi u kthye në mit, ndërkohë që shumë prej ngjarjeve që tregohen për të nuk janë të vërteta. Historianët kanë treguar se ai kishte të ngjarë të ishte nga verilindja e Spanjës dhe jo nga Italia. Thuhet se ai ishte njeriu që i provoi Evropës se bota ishte e rrumbullakët dhe jo e sheshtë. Siç rezulton, forma e tokës ishte gjetur shekuj më parë nga grekët, romakët dhe arabët, diçka që dihej nga evropianët e shkolluar.

Miti që zgjati më shumë ishte se Kolombi zbuloi Amerikën, një kontinent i banuar nga njerëz që kishin emigruar atje mijëra vite më parë. Po ashtu ai nuk ishte evropiani i parë që kishte lundruar në Amerikën e Veriut. Eksploruesi norvegjez, Leif Erikson, me gjasa ka shkelur në kontinent pothuajse 500 vjet më parë.

Në ditët e sotme, një numër në rritje qytetesh amerikane po kërkojnë heqjen e Ditës së Kolombit dhe zëvendësimin me një festë që nderon popullsitë indigjene dhe vendase. Qyteti më i madh deri tani është Los Anxheles në Kaliforni, që votoi në muajin gusht për të “anuluar festimet e sponsorizuara nga shteti për gjenocidin e popujve indigjenë”./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat