Presidenti Trump, mesazh vendosmërie në Korenë e Jugut

Amerika

Presidenti Trump, mesazh vendosmërie në Korenë e Jugut

Më: 7 nëntor 2017 Në ora: 21:31
Presidenti Donald Trump me Presidentin Moon Jae-in në Seul

Presidenti Donald Trump u rezervua të martën duke mos folur me termat e forta që ka përdorur në të kaluarën në adresë të Koresë së Veriut, por duke përcjellë një mesazh vendosmërie dhe optimizmi gjatë vizitës në Korenë e Jugut. Presidenti shprehu bindjen se “çdo gjë do të zgjidhet” kur është fjala për kërcënimin bërthamor nga Pheniani.

Pas një dite të mbushur me takime dhe aktivitete publike me Presidentin Moon Jae-in në Seul, Presidenti Trump tha se është shënuar përparim diplomatik për të ulur tensionet në rajon.

“Uroj që të lulëzojë liria dhe paqja në këtë gadishull,” tha presidenti gjatë darkës shtetërore të shtruar për nder të tij. “Së bashku, vendet tona do t’i kujtojnë botës se për kombet që zgjedhin lirinë në vend të tiranisë, ekziston një potencial i pamasë”.

Presidenti Moon tha se “paqja e vendit tim” është e kërcënuar, por ai shtoi se aleanca e gjatë mes Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Koresë shoqërohet me një “fuqi superiore” që “do ta bëjë Korenë e Veriut të heqë dorë nga provokimet e saj të pamatura dhe të kthehet në dialogun e çmilitarizimit bërthamor”.

“Nuk duhet të lejojmë rikthimin e luftës në Gadishullin Korean,” tha zoti Moon.

Ndërkaq, komentet e Presidentit Trump shënojnë një largim nga toni i postimeve në Twitter gjatë javëve të fundit, kur është shprehur se bisedimet për të zgjidhur krizën bërthamore me Phenianin ishin “një harxhim i kotë kohe”.

Retorika e ndezur nga Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut ka shtuar shqetësimet për një ballafaqim të mundshëm bërthamor në Gadishullin Korean.

Më parë, presidenti i SHBA tha se Uashingtoni dhe Seuli po punojnë së bashku për një zgjidhje paqësore të situatës me Korenë e Veriut, duke shtuar se “besoj që është në interes të Koresë së Veriut të ndërmarrë hapat e duhur” duke u kthyer në tryezën e bisedimeve. Por ai shtoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura “të mbrojnë veten dhe aleatët duke përdorur të gjithë spektrin e kapaciteteve tona të pakrahasueshme ushtarake, nëse është e nevojshme”.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, zoti Trump dhe homologu i tij, Moon, thanë se është e papranueshme që një vend tjetër të ndihmojë për armatosjen dhe financimin e regjimit të Kim Jong Unit. Zoti Trump shtoi se programi koreano-verior i armëve bërthamore dhe raketave balisitike përbën një “kërcënim mbarë global që kërkon veprime globale”.

Zoti Trump tha se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut nuk mund të lejojnë që Pheniani “të kërcënojë të gjitha ato që kemi ndërtuar” që nga lufta e Koresë gjashtë dekada më parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat