SHBA thirrje Kinës të ndërpresë eksportin e naftës drejt Phenianit

Amerika

SHBA thirrje Kinës të ndërpresë eksportin e naftës drejt Phenianit

Më: 30 nëntor 2017 Në ora: 23:39
ilustrim

Pas provës së fundit dhe më të përparuar me raketë të Koresë së Veriut, Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kinës të tregojë udhëheqje, duke bërë diçka që deri më tani nuk ka qenë e gatshme ta bëjë, t’i ndërpresë furnizimin me naftë Phenianit.

Analistët thonë se ndërsa ky opsion mbetet një hap të cilin kinezët nuk duan ta ndërmarrin, është diçka që megjithatë, ata duhet ta kenë shumë në konsideratë.

"Shtetet e Bashkuara dhe Kina patjetër do të shtrëngojnë sanksionet ekonomike ndaj Koresë së Veriut. Kjo është e pashmangshme dhe Koreja e Veriut e meriton këtë, veçanërisht pas prodhimit nga ana e saj, të raketës Hwasong-15, që ngre nivelin e kërcënimit ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe Shteteve të Bashkuara ", thotë Zhao Tong, një zyrtar i qendrës “Carnegie Tsinghua” për politikën ndërkombëtare.

Zoti Zhao thotë se kur është fjala për sanksione, mbetet pak hapësirë për të vepruar.

"Nafta është diçka që Kina nuk do ta marrë me lehtësi. Ndoshta duhet të vendosen më shumë kufizime ndaj Koresë së Veriut, ndaj punëtorëve që punojnë në Kinë, ose ata duhet të ndalen plotësisht", thotë ai.

Kina ka urdhëruar tashmë mbylljen e bizneseve të Koresë së Veriut në vend si dhe u ka kërkuar kompanive kineze, të mos punësojnë punëtorë të rinj nga Koreja e Veriut apo të rinovojnë kontratat me ta.

Megjithëse nafta ka qenë gjithmonë një produkt që Pekini e ka konsideruar me kujdes të madh, është një çështje të cilën Kina duhet ta trajtojë me kujdes, thotë Jia Qingguo-n, profesor i shkencave politike në Universitetin e Pekinit.

Nafta baraz me stabilitet?

"Nëse nafta ndërpritet plotësisht, kjo mund të çojë në probleme më të mëdha ekonomike në Korenë e Veriut, madje edhe në paqëndrueshmëri politike. Koreja e Veriut mund të përfshihej nga kaosi. Gjëja e parë që Kina duhet të shqetësohet kur është fjala për Korenë e Veriut është prodhimi i armëve bërthamore, e dyta është se si mund të shmangë kaosin në gadishull, që mund të çojë në luftë", thotë ai.

Duke folur në Kombet e Bashkuara të mërkurën, ambasadorja amerikane Nikki Haley tha se Uashingtoni i kërkon Presidentit të Kinës Xi Jinping të mbajë qëndrim.

"Ai ka një mundësi për të bërë gjënë e duhur, për të mirën e të gjitha vendeve. Kina duhet të tregojë udhëheqje dhe të bëjë përpara. Kina mund ta bëjë këtë gjë vetë ose ne mund ta marrim situatën lidhur me naftën, në duart tona", tha zonja Haley.

Sinjale të ndryshme

Nga ana e saj, ministria e jashtme kineze tha të enjten se ishte ende e fokusuar në ç’militarizimin bërthamor dhe mbledhjen e të gjitha palëve sërisht në tryezën e bisedimeve.

Zëdhënësi i ministrisë, Geng Shuang tha se Kina do të vazhdojë të bëjë gjithçka të jetë e mundur për të ndihmuar në arritjen e këtij qëllimi dhe se do të zbatojë plotësisht sanksionet e miratuara tashmë nga Kombet e Bashkuara.

"Kina do të zbatojë plotësisht të gjitha rezolutat që lidhen me Korenë e Veriut dhe përgjegjësitë e saj ndërkombëtare" tha ai.

Në kontrast të fortë, komentet në mediat shtetërore të Kinës rreth provës së fundit me raketë dhe sanksioneve ndaj Phenianit ishin më të drejtpërdrejta. Disa madje fajësonin Shtetet e Bashkuara për provën e fundit me raketë të Phenianit.

Një artikull redaksional i gazetës “Daily China” argumenton se prova e fundit mund të jetë nxitur nga vendimi i administratës Trump për të etiketuar Korenë e Veriut një vend që sponsorizon terrorizmin shtetëror.

Pekini dëshiron që të dy "vendet në konflikt" të qetësohen dhe është i shqetësuar që një mundësi e artë për të inkurajuar Phenianin për bisedime " u tret rastësisht" nga administrata Trump shkruante gazeta.

"Ka ardhur koha për të vendosur për një nga dy zgjedhjet, të mësosh të jetosh me një Kore Veriu me armë bërthamore ose të lejosh skenarin më të keq", thuhej gjithashtu në gazetë.

Në një artikull të gazetës “Global Times” të mbështetur nga Partia Komuniste, i kërkohej Shteteve të Bashkuara të ndërmarrin atë që cilësohet si “qasje më e butë”.

"Është koha që Shtetet e Bashkuara të kuptojnë se shtimi dhe apo shtrëngimi i sanksioneve që janë në fuqi, nuk do të ketë efektin e dëshiruar. Që nga dje, Pheniani është më i sigurtë së kurrë. Dënimi nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe sanksionet e reja që mund të pasojnë, nuk do të zgjidhin asgjë", thuhej në artikull.

Daniel Pinkston, një studiues i Koresë së Veriut në Universitetin “Troy” në Seul, thotë se pavarësisht nga ndikimi i tyre (sanksioneve), nevojitet më shumë presion mbi Phenianin.

"Çdo lloj sanksionesh ekonomike apo embargosh tregtare, duhet të vendosen dhe duhet të jenë shumë të fuqishme. Edhe nëse nuk ndryshon sjellja e Koresë së Veriut, apo nuk e detyrojnë atë të braktisë programet e saj të raketave bërthamore. Ne duhet ta bëjmë këtë për palët e treta", thotë zoti Pinkston.

Por bashkëpunimi nuk nevojitet vetëm në çështjen e sanksioneve.

Jia Qingguo i universitetit të Pekinit thotë se përveç sanksioneve më shtrënguese, Kina dhe Shtetet e Bashkuara do të duhet të gjejnë mënyra për të bashkëpunuar në fusha me një gamë më të gjerë.

"Nëse ka një krizë në Korenë e Veriut, të dyja palët duhet të kenë plane rezervë. Këto gjëra janë pjesë e një shkalle më të gjerë bashkëpunimi dhe duhet të diskutohen, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara dhe Kina të mund të shmangin konfliktin ushtarak ", tha zoti Jia./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat