Senati kalon projektligjin për taksat në SHBA – fitorja e parë e madhe e Trump

Amerika

Senati kalon projektligjin për taksat në SHBA – fitorja e parë e madhe e Trump

Më: 2 dhjetor 2017 Në ora: 10:28
SHBA

Senati amerikan ka kaluar projektligjin për shkurtimet taksore, politika legjislative e parë e madhe e Donald Trump.

Projektligji ka kaluar me 51 vota për dhe 49 kundër – pasi iu shtuan një sërë amendamentesh në një sesion maratonë të debateve.

Plani parasheh shkurtime të mëdha të taksave për korporatat, por këto shkurtime, sipas komitetit të Senatit do të ndikojnë në rritjen për një trilion në buxhetin e shtetit.

Presidenti Trump do që ky projektligj, që është ndryshimi më i madh taksor prej vitit 1980 në SHBA, të fillojë implementimin menjëherë në fund të këtij viti.

Tani legjislacioni i kaluar nga Senati duhet të shkrihet në atë që në nëntor kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve.

Më pas projektligji do të dërgohet tek presidenti për t’i dhënë nënshkrimin final dhe të kthehet në ligj shtetëror.

Demokratët janë ankuar se ky ligj do u shërbejë vetëm të pasurve dhe korporatave të mëdha dhe se do ta rritë deficitin e SHBA-ve.

Gjithsesi, ata nuk arritën të sigurojnë mjaftueshëm vota për ta parandaluar.

Senati përbëhet nga 52 republikanë dhe 48 demokratë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat