Senatori i Alabamës nuk voton për kandidatin republikan, Moore

Amerika

Senatori i Alabamës nuk voton për kandidatin republikan, Moore

Më: 10 dhjetor 2017 Në ora: 21:23
Richard Shelby

Senatori nga Alabama, republikani Richard Shelby, tha të dielën se shteti i tij “meriton diçka më të mirë” dhe jo zgjedhjen e kandidatit republikan për Senat, Roy Moore, i akuzuar për sjellje të papërshtatshme seksuale me vajza adoleshente para katër dekadash, kur ishte në të 30-at.

Shelby, i cili ka shërbyer në Senat për tre dekada, i tha CNN-it se ka votuar në mungesë para zgjedhjeve të së martës, duke shkruar mbi fletën e votimit emrin e një “republikani të respektuar”, të cilit nuk pranoi t’ia përmendte emrin.

“Do të preferoja që të fitonte një republikan, por shpresoj që të jetë një republikan tjetër”, tha ai.

"Nuk mund të votoja për Roy Moore. Nuk votova për Roy Moore. Do të doja që të shihja një republikan për atë vend në senat dhe nuk do të them më shumë se kaq. Nuk do të votoj për një demokrat, nuk votova për një demokrat, por nuk mund të votoja për Roy Moore."

Të martën, votuesit e shtetit të Alabamës do të zgjedhin mes zotit Moore dhe demokratit Doug Jones. Moore, një ish gjykatës i Gjykatës së Lartë të shtetit, është përfshirë në sjellje të papërshtatshme me një vajzë 14 vjeçare, dhe akuzuar nga disa gra për ngacmime seksuale. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Deborah Bloom foli me votuesit në Montgomeri, Alabama rreth zgjedhjeve, që kanë tërhequr vëmendjen e gjithë vendit.

Republikani Moore dhe demokrati Doug Jones konkurrojnë për një vend në Senatin e Shteteve të Bashkuara.

Zgjedhje që kanë pasoja të gjera për vendin.

Personi që fiton jo vetëm që do të jetë senator në Uashington, por mund të ndryshojë edhe balancën e pushtetit në Senat.

Një fitore për Moore do të thotë se republikanët mund të kenë kontroll më të vendosur.

Por nëse Jones fiton – demokratët mund të ndihen të inkurajuar...

Dhe kjo paraqet një sfidë më të madhe për administratën e presidentit Trump.

“Nuk kemi nevojë për një liberal atje. Një demokrat” tha presidenti.

Në një shtet thellësisht konservator si ai i Alabamës – Roy Moore mund të dukej si zgjedhja e natyrshme.

Por akuzat për sjellje të papërshtatshme seksuale po e vënë në pikëpyetje kandidaturën e tij. Disa gra e kanë akuzuar Moore se ai kishte patur marrëdhënie me ta kur ato ishin adoleshente.

Beverly Young Nelson thotë se Moore e kishte prekur në mënyrë të papështatshme dyzet vjet më parë, ndërsa ai po e çonte me makinë në shtëpi nga puna.

Ajo thotë se ajo ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç atëherë.

“Isha e tmerruar. Ai gjithashtu po përpiqej të më hiqte bluzën. Mendova se do të më përdhunonte” tha ajo.

Moore i mohon akuzat dhe thotë se ata kanë për qëllim të diskreditojnë fushatën e tij.

“Këto akuza janë krejtësisht të rreme. Unë nuk i njoh këto gra dhe kurrë nuk jam përfshirë me ngacmime seksuale me askënd”.

Pavarësisht akuzave, shumë mbeten të palëkundur – duke hedhur dyshime mbi akuzat kundër tij.

“Këto akuza janë krejtësisht të rreme. Unë e njoh atë dhe çfarë lloj personi është ai”thotë votuesi nga Alabama, David Ray.

“Sistemi ynë është: i pafajshëm derisa të provohet fajtor. Mendoj se është keq shumë njerëz akuzohen për gjëra që mund të kenë ndodhur 20-30 vjet më parë” thotë Tonya Jenkins, një votuese nga Alabama.

Por të tjerët ndihen ndryshe, të vendosur të shohin demokratin Jones në post.

“Unë mendoj se do të ishte turp për shtetin e Alabamës që të ketë një përfaqësues si Roy Moore. Do të ishte keq për vendin, keq për shtetin” thotë Harry.

Ligjvënësit thonë se nëse Moore fiton, ai do të përballet me një hetim etik në Senatin amerikan.

Por tani për tani, është në dorë të votuesve të Alabamës.

Ndërsa pjesa tjetër e vendit – pret me ankth përfundimin./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat