Guatemalë: Ndiqet shembulli amerikan për Jerusalemin

Amerika

Guatemalë: Ndiqet shembulli amerikan për Jerusalemin

Më: 25 dhjetor 2017 Në ora: 19:15
Presidenti i Guatemalës, Jimmy Morales, gjatë një takimi të mëparshëm me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu

Presidenti i Guatemalës, Jimmy Morales, thotë se do ta lëvizë ambasadën e vet në Izrael në qytetin e ndarë të Jerusalemit, pas lëvizjes së ngjashme të Shteteve të Bashkuara.

Zoti Morales tha mbrëmë se ka vendosur ta lëvizë ambasadën nga Tel-Avivi në Jerusalem, pasi kishte biseduar me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka zemëruar botën arabe dhe aleatët amerikanë, e poashtu, edhe kundërshtarët, kur këtë muaj ka shpallur se Shtetet e Bashkuara e njohin Jerusalemin për kryeqytet të Izralit, duke e ndryshuar politikën amerikane, që ka zgjatur me dekada.

Para katër ditësh, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi në favor të dokumentit me të cilin hedhet poshtë vendimi i Uashingtonit për njohjen e Jerusalemit.

Guatemala, që nga Shtetet e Bashkuara merr ndihmë financiare, ishte njëri prej 7 shteteve që iu bashkua SHBA-ve dhe Izraelit në votimin kundër rezolutës. Kjo rezolutë u miratua me 128 vota për dhe vetëm 9 kundër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat