SHBA, reagime pozitive ndaj bisedimeve të ardhshme Phenian-Seul

Amerika

SHBA, reagime pozitive ndaj bisedimeve të ardhshme Phenian-Seul

Më: 7 janar 2018 Në ora: 23:56
Donald Trump dhe Kim Jong Un

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha se është “mirë për Shtetet e Bashkuara” që Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut kanë vendosur të angazhohen në bisedime të nivelit të lartë, por paralajmëroi se ambiciet bërthamore të Phenianit ende përbëjnë një kërcënim serioz për botën.

“Kjo është një situatë shumë e rrezikshme”, tha Haley për rrjetin ABC News të dielën.

Ajo tha se Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë trysninë ndaj Koresë së Veriut për t’i dhënë fund zhvillimit të armëve bërthamore dhe paralajmëroi: “Ne gjithashtu mund t’i shkatërrojmë ata”. Ajo tha se nëse udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un do të niste një sulm bërthamor ndaj Shtetet e Bashkuara, “nuk do të jemi ne (Shtetet e Bashkuara) ata që do të shkatërroheshim”.

Në një fjalim nga vendpushimi presidencial Camp David, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha se ai shpreson se bisedimet e reja mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut do të zgjerohen “përtej Lojrave Olimpike” dhe premtoi se Shtetet e Bashkuara do të marrin pjesë në kohën e duhur. Koreja e Veriut pranoi ofertën e Koresë së Jugut për bisedime të nivelit të lartë rreth Lojrave Olimpike të premten.

Presidenti Trump dha një konferencë shtypi të pazakontë të shtunën nga shtëpia presidenciale e pushimit Camp David, ku u takua me ligjvënësit republikanë. Rreth bisedimeve të ardhshme mes Seulit dhe Phenianit, Trump tha: “Shpresoj se do të shkojnë mirë”.

“Nëse diçka mund të ndodhë dhe diçka mund të vijë nga ato bisedime, do të ishte e mrekullueshme për të gjithë njerëzimin. Do të ishte e mrekullueshme për botën. Shume e rëndësishme”.

Presidenti tha gjithashtu se ai kishte folur me kreun e Koresë së Jugut Moon Jae-in, i cili e falënderoi shumë për “qëndrimin e tij të ashpër”.

“Duhet të keni një qëndrim të caktuar dhe duhet të jeni të përgatitur për të bërë gjëra të caktuara dhe unë jam plotësisht i përgatitur për ta bërë këtë”, tha Trump, duke sugjeruar që gjuha e tij e ashpër ka ndihmuar të bindë Korenë e Veriut të ulet për biseda me atë të Jugut.

Kohët e fundit, udhëheqësi amerikan dhe ai koreano-verior kanë shkëmbyer komente thumbuese rreth arsenaleve të tyre bërthamore.

Të premten, Koreja e Veriut pranoi ofertën e Koresë së Jugut për bisedime të nivelit të lartë rreth Lojrave Olimpike. Bisedimet do të zhvillohen më datë 9 janar në zonën e çmilitarizuar ndërmjet dy Koreve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat