Trump e ka anuluar vizitën në Londër për hapjen e ambasadës së re

Amerika

Trump e ka anuluar vizitën në Londër për hapjen e ambasadës së re

Më: 12 janar 2018 Në ora: 13:48
Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se ai e ka anuluar vizitën në Londër, ku është dashur ta bëjë hapjen e Ambasadës së re të Shteteve të Bashkuara.

Në një postim të sotëm në rrjetin Twitter, zoti Trump ka shkruar se ka vërejtje për lokacionin e ambasadës së re dhe e ka fajësuar administratën e ish-presidentit, Barack Obama.

“Shkaku i anulimit...është ai se unë nuk jam mbështetës i madh i administratës Obama, që e ka shitur me gjasë ambasadën më të mirë dhe lokacionin më të mirë në Londër për ‘kikirikë’, vetëm për ta ndërtuar të rejën në një lokacion tjetër për 1.2 miliard dollarë. Marrëveshje e keqe”, ka shkruar Trump dhe ka shtuar se “dëshiruan që unë ta prejë shiritin-JO”!

Megjithatë, vendimi për ta lëvizur ambasadën prej rajonit Mayfair në Londër ishte bërë nga administrata e presidentit, George W. Bush. Vendimi ishte shpallur më 28 tetor 2008, një muaj para se Obama të zgjedhej.

Ambasada e re, ndërtesë 12 katëshe, në një lokacion pak më prestigjioz në jug të lumit Temza, do të hapet për publikun më 16 janar.

Ky objekt prej 1 miliard dollarësh është financuar nga shitja e pasurive të tjera në Londër.

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, është liderja e parë e jashtme që e ka vizituar presidentin Trump pas inaugurimit të tij në janar të vitit të kaluar.

Gjatë vizitës ajo e ka ftuar presidentin Trump për vizitë shtetërore në Britani.

Për këtë ftesë ka pasur kundërshtime të ashpra në Britani, ndërsa shumë shtetas britanikë kanë paralajmëruar mbajtje të protestave kundër Trumpit.

Pasi presidenti Trump e anuloi vizitën, kryetari i qytetit të Londrës, Sadiq Khan, tha se vizita “pa dyshim do të ishte ballafaquar me protesta masive paqësore”.

“Shumë londinezë e kanë bërë të qartë se Donald Trump nuk është i mirëseardhur këtu, derisa ai zhvillon agjentë të tillë përçarëse”, ka thënë Khan dhe ka shtuar se “duket se ai përfundimisht e ka marrë mesazhin”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat