Komentet fyese të Presidentit ndërlikojnë çështjen DACA

Amerika

Komentet fyese të Presidentit ndërlikojnë çështjen DACA

Më: 15 janar 2018 Në ora: 18:37
Washington

Kritikat ndaj Presidentit amerikan Donald Trump rreth njoftimeve se ai ka përdorur fjalor fyes kundër vendeve të varfëra, kryesisht me popullatë me ngjyrë, kanë ndërlikuar edhe më tej përpjekjet për zgjidhje dypartiake të reformave në imigracion, një përpjekje që ka dështuar prej për më shumë se një dekade në Kongres. Në mungesë të konsensusit për zgjidhjen e kësaj çështjeje shtohen gjasat për një mbyllje të pjesshme të qeverisë federale në fund të kësaj jave, kur qeverisë amerikane i mbarojnë fondet.

Të enjten e kaluar Senati filloi të diskutonte me optimizëm një marrëveshje dypartiake për të trajtuar statusin e qindra mijëra imigrantëve pa dokumente të sjellë në Amerikë në moshë të mitur.

"Një marrëveshje për të miratuar ligjin DACA së bashku me një paketë të masave të sigurisë kufitare më në fund mund të jenë të realizueshme", tha senatori Charles Schumer, udhëheqës i pakicës demokrate në senat.

Disa orë më vonë, dolën njoftimet se Presidenti Trump kishte përdorur fjalor fyes kur po fliste kundër pranimit të imigrantëve nga vende si Haiti.

"E kam dëgjuar atë që tha ai. E kam dëshuar pikërisht atë që ai ka thënë. Presidenti e përdori atë gjuhë vulgare më shumë se një herë", tha senatori demokrat Dick Durbin.

Presidenti Trump mohoi në Twitter të ketë "bërë komente fyese" ndërkohë që vazhdonin reagimet kundër tij.

"Gjëja e parë që më erdhi në mendje ishte, sa keq, e padobishme", tha Kryetari i Dhomës së Përfaqësusve, republikani Paul Ryan.

"Kjo më trishtoi, më bëri të përloten. Unë mendoj se ai është racist", tha ligjvënësi demokrat John Lewis.

Vitin e kaluar, Presidenti Trump kërkoi që në mars të shfuqizohej ligji DACA. Javën e kaluar, një gjykatë federale bllokoi urdhërin e Presidentit, por përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të përhershme ligjore për këtë çëshje po vazhdojnë. Shumë republikanë duan një marrëveshje që përfshin një siguri më të fortë kufitare dhe reformimin e imigracionit të ligjshëm.

"Republikanët dhe demokratët duan të zgjidhin prolemet e DACA-s. Por ne gjithashtu duam të sigurohemi se nuk do të duhet të merremi me këtë çështje përsëri pas pesë vjetësh. Ajo që duhet të bëjmë është sigurimi i kufijve tanë", thotë senatori republikan David Pardue.

Tani, presidenti po hedh dyshime ndaj mundësisë për arritjen e një marrëveshjeje, duke fajësuar demokratët dhe duke e quajtur atë një "mundësi të madhe të humbur".

Ndërkohë, shumë demokratë po kushtëzojnë zgjatjen e financimit të qeverisë me masat për reformimin e ligjit DACA.

"Jemi duke iu afruar gjithnjë e më shumë afatit të 19 janarit, kur fondet e qeverisë mbarojnë, kur ne do të duhet të trajtojmë një mori çështjesh të pazgjidhura", thotë udhëheqësi e pakicës demokrate në senat, Charles Schumer.

"Ne duhet të vazhdojmë presionin dhe të arrijmë një marrëveshje. Unë nuk do të votoj për financimin e qeverisë derisa të ketë një marrëveshje për DACA-n", thotë ligjvënësi demokrat John Lewis.

Disa ligjvënës këmbëngulin se arritja e një marrëveshjeje dypartiake është ende e mundur.

"Demokratët po vijnë me një predispozitë pozitive në negociata. Ne po përpiqemi të arrijmë një kompromis për këtë çështje. Dhe unë mendoj se ne kemi bërë këtë, dhe ju do ta shihni atë këtë javë", thotë senatori republikan Jeff Flake.

Në ndryshim nga këto komente, të dielën Presidenti Trump tha në Twitter se "DACA është ndoshta e dështuar, sepse demokratët nuk e duan atë"

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat