Pence në Egjipt diskuton konfliktin izraelito-palestinez

Amerika

Pence në Egjipt diskuton konfliktin izraelito-palestinez

Më: 21 janar 2018 Në ora: 11:30
Nën-presidenti amerikan, Mike Pence, foto nga arkivi

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, i ka thënë presidentit egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi se, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për të dhënë mbështetje për zgjidhjen e çështjes izraelito-palestineze, në rast se pajtohen të dy palët.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë thellësisht të përkushtuara për të rifilluar një proces të paqes në Lindjen e Mesme”, u ka thënë Pence gazetarëve, pas takimit me presidentin Sisi në Egjipt.

Vizita e Pence në këtë rajon përfshin vizitën në Jordani dhe Izrael dhe vjen pas më shumë se një muaji prej kur presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar për njohjen e Jerusalemit, kryeqytet të Izraelit.

Ky hap ka zemëruar palestinezët, të cilët e shohin Jerusalemin si kreqytetin e shtetit të tyre në të ardhmen.

Izraeli ka aneksuar Jerusalemin Lindor dhe ka deklaruar tërë qytetin si kryeqytet, hap i cili nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Pence nuk do të takohet me liderët e Autoritetetit Palestinez gjatë kësaj vizite.

Pence ka thënë se lideri egjiptian e ka përshkruar kundërshtimin e tij për vendimin e Trumpit rreth Jerusalemit si “mosmarrëveshje mes miqëve”.

Pence ka thënë se ka siguruar Sisi-n, se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ruajtur statutin aktual të vendeve të shenjta në Jerusalem, duke shtuar se ende nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar për kufirin në mes të dy palëve.

“Përceptimi im është që ai ishte i inkurajuar nga ai mesazh”, ka thënë Pence.

Përmes një deklarate, presidenca egjiptiane ka cituar presidentin Sisi të ketë thënë se vetëm negociatat e bazuara në zgjidhjen me dy shtete mund të dërgojnë në përfundimin e konfliktit afatgjatë.

“Egjipti nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të mbështetur këtë “, është thënë ndër të tjera në deklaratë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat