Në krahasim me një vit më parë, vitin e kaluar në Meksikë vrasjet janë rritur për 27 për qind, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas raportit të Ministrisë së Brendshme, numri i vrasjeve të kryera në vitin 2017, në krahasim me 2016, ka shënuar rritje për 27 për qind, duke arritur shifrën prej 29.168.
Të dhënat tregojnë që numri i vrasjeve, që nga fillimi i regjistrimit në 1997 e deri më tani, është edhe më i lartë se në vitin 2011 kur për shkak të kulmit të luftës së drogës ngelën të vrarë 27.213 persona.
Në raport thuhet se shkalla e vrasjeve në 100 mijë persona në vitin 2011 ishte 19.4, ndërkaq vitin e kaluar është rritur në 20.5.
Sipas të dhënave nga Banka Botërore për vitin 2017, shkalla e vrasjeve për 100 mijë persona në Brazil dhe Kolumbi është 27, në Venezuelë 57, ndërsa në El Salvador 60.8.
Shkalla e vrasjeve në Meksikë kishte rënë përkohësisht mes viteve 2012-2014, ndërsa në vitin 2015 nisi të rritet sërish. Mendohet që viti 2017 të jetë më i përgjakshmi në 27 vitet e fundit.