Përfaqësues të rëndësishëm republikanë, mbështetje për Prokurorin Mueller - Bota Sot
Përfaqësues të rëndësishëm republikanë, mbështetje për Prokurorin Mueller

Amerika

E hënë, 22 tetor 2018

Përfaqësues të rëndësishëm republikanë, mbështetje për Prokurorin Mueller

Më: 28 janar 2018 Në ora: 22:04
Senatorët Lindsey Graham dhe Susan Collins

Dy senatorë republikanë shprehën sot mbështetje për menaxhimin nga prokurori i posaçëm Robert Mueller të hetimeve për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, por mbajtën qëndrime të ndryshme për sa i përket çështjes nëse Kongresi duhet të miratojë një legjislacion që do të bllokonte shkarkimin e Prokurorit Mueller nga Presidenti Donald Trump.

Senatorët Lindsey Graham dhe Susan Collins, në dallim nga kolegët e tyre republikanë, deklaruan në emisione të veçanta lajmesh se do të mbështesin një legjislacion të kërkuar nga demokratët, ku do të parashikohej një shqyrtim gjyqësor i një vendimi të mundshëm të Presidentit Trump për shkarkimin e zotit Mueller.

Dy ligjvënës kryesorë republikanë, Kevin McCarthy dhe Trey Gowdy, gjithashtu thanë se ata mbështesin punën e zotit Mueller në hetimin penal që po vazhdon. Sidoqoftë, ligjvënësi McCarthy shtoi se ai nuk e shikon të nevojshme miratimin e një ligji që do të mbronte Prokurorin Mueller, ish-drejtor i FBI-së.

Fati i prokurorit Mueller është në qendër të hetimit për ndërhyrjen e Rusisë pas njoftimeve të lajmeve ditët e fundit se presidenti Trump urdhëroi avokatin e Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn, të shkarkonte nga detyra zotin Mueller qershorin e kaluar, por se ai u tërhoq pasi McGahn kërcënoi të jepte dorëheqjen. Presidenti Trump ka mohuar në disa raste në muajt e fundit se kishte menduar edhe rreth shkarkimit të zotit Mueller dhe e quajti informacionin e raportuar javën e kaluar, fillimisht nga The New York Times, si "lajme të rreme", shprehja e tij e preferuar për njoftimet që nuk i pëlqejnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test