Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve bëjnë publik raportin për FBI-në

Amerika

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve bëjnë publik raportin për FBI-në

Më: 2 shkurt 2018 Në ora: 19:13
Devin Nunes

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve bënë publik një raport që më parë ishte i klasifikuar sekret, ku pretendohet se zyrtarët e lartë të zbatimit të ligjit janë treguar të njëanshëm kundër presidentit Donald Trump. Dokumenti u publikua i plotë dhe pa redaktime, pasi presidenti Trump e autorizoi publikimin e tij.

Si Byroja Federale e Hetimeve ashtu edhe Departamenti i Drejtësisë janë shprehur kundër publikimit të dokumentit.

Sot herët në mëngjes, Presidenti Trump shkruante në Twitter: "Udhëheqja e lartë dhe hetuesit e FBI-së si dhe Departamenti i Drejtësisë e kanë politizuar procesin e shenjtë hetimor në favor të demokratëve dhe kundër republikanëve, gjë që, vetëm pak kohë më parë do të kishte qenë e pamendueshme.”

“Shumë njerëzve duhet t'u vijë turp nga vetja madje edhe më shumë se kaq", tha zoti Trump të premten.

Sipas raportit, zyrtarë të lartë qeveritarë kishin favorizuar demokratët ndaj republikanëve. Dokumenti akuzon zyrtarët e rendit dhe zbulimit se kishin abuzuar me autoritetin e tyre kur kërkuan leje që të përgjonin një ish-këshilltar të fushatës të Presidentit Trump, Carter Page.

Demokratët dhe kritikët e tjerë të dokumentit thonë se ai në mënyrë selektive përdor informacionin e klasifikuar të zbulimit për të arritur në përfundimin se hetimet mbi ndërhyrjen e Rusisë janë politikisht të njëanshme.

Dy demokratët kryesorë në Kongres, udhëheqësi i Pakicës në Senat, Charles Schumer dhe udhëheqësja e Pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi, e dënuan dokumentin dhe kritikuan udhëheqësit republikanë se po vendosnin interesin partiak përpara sundimit të ligjit.

Në vorbullën e kërsaj zhurme partiake është përfshirë edhe FBI-ja, e cila kishte publikuar një deklaratë të pazakontë, ku thuhet se ajo ka "shqetësime të mëdha" në lidhje me saktësinë e dokumentit.

Dokumenti është shndërruar në një pikë konflikti në Uashingtonin e ndarë politikisht, ku një numër republikanësh po ankohen gjithnjë e më shumë për hetimet e prokurorit të posaçëm Robert Mueller rreth Rusisë. Ata ankohen gjithashtu se disa zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë kanë punuar për të minuar presidencën e zotit Trump.

Presidenti Trump ka thënë në mënyrë të përsëritur se nuk ekziston "asnjë bashkëpunim i fshehtë" mes fushatës së tij dhe Rusisë. Javën e kaluar, ai tha gjithashtu se hetimit për Rusinë nuk i ishte nxjerrë “asnjë pengesë”./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat