Pranimi i fajësisë nga Gates dhe hetimi mbi ndërhyrjen ruse

Amerika

Pranimi i fajësisë nga Gates dhe hetimi mbi ndërhyrjen ruse

Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 23:49
Gates

Richard Gates, ish këshilltar i lartë gjatë fushatës elektorale të presidentit Trump dhe ndihmës i afërt i kryetarit të ekipit elektoral Paul Manafort, pranoi fajësinë për akuzat e ngritura nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller në kuadër të hetimeve për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane. Pranimi i fajësisë nga Gates mund të jetë një mundësi për më shumë informacione të vlefshme për prokurorin Mueller.

Richard Gates, ish këshilltar i lartë gjatë fushatës elektorale të presidentit Trump dhe ndihmës i afërt i menaxherit të fushatës, Paul Manafort, pranoi të premten fajësinë për akuzat e ngritura nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller në kuadër të hetimeve për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane. Gates pranoi fajësinë për konspiracion kundër Shteteve të Bashkuara dhe për akuzën se ka gënjyer FBI-në dhe hetuesit e prokurorit të posaçëm.

Pranimi i fajësisë shihet si një sinjal se ai mund të ketë rënë dakord të bashkëpunojë me prokurorin e posaçëm Mueller në kuadër të hetimeve.

Para se të mbërrinte në një gjykatë federale dje në Uashington, ai i dërgoi një letër miqve dhe familjes, në të cilën thotë se ai ka ndryshuar.

“Ai mund të jetë në gjendje të ndihmojë prokurorin Mueller që t’i kuptojë më mirë disa nga elementët që lidhen me bashkëpunimin e fshehtë me rusët, që është pjesa kryesore e këtij e hetimi”, thotë eksperti ligjor Dan Abrams.

Pranimi i fajësisë ndodhi një ditë pasi një juri në Virxhinia ngriti 32 akuza ndaj tij dhe ish menaxherit të fushatës elektorale të Presidentit Trump, Paul Manafort, për shmangie taksash dhe mashtrime bankare.

Ndërkohë të premten në mbrëmje, ndaj zotit Manafort u ngritën akuza të reja lidhur me punën që ai ka bërë për politikanët pro-rusë në Ukrainë.

Gates është ish-anëtari i fundit i rrethit të ngushtë të Presidentit Trump që arrinë një marrëveshje për pranim të fajësisë në hetimin e prokurorit Mueller mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Gates në një deklaratë të lëshuar të premten tha se "realiteti i një procesi të gjatë ligjor, kostoja dhe pritshmëria për një gjykim që pritet të tërheq vëmendje të madhe është një barrë tepër e rëndë."

Gates dhe Manafort janë akuzuar për depozitim të 75 milionë dollarëve në llogari të fshehta bankare jashtë Shteteve të Bashkuara, dhe pastaj nuk kanë paguar taksa në mbi 30 milionë dollarë të fondeve të tyre.

Këto krime dyshohet se mund kenë ndodhur kur ata po punonin për fushatën elektorale të Presidentit Trump dhe kur po bënin lobizëm për politikanët pro-rusë në Ukrainë.

Akuzat e reja kundër zotit Gates mund t’i sjellin atij një dënim me më shumë se një dekad burg. Përmes bashkëpunimit me prokurorin Mueller ai mund t’i shpëtojë dënimit me burg. Kushtet e sakta të marrëveshjes për bashkëpunim me prokurorin e posaçëm janë të paqarta./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat