SHBA "të gatshme për t'u mbrojtur" përballë kërcënimeve ruse - Bota Sot
SHBA "të gatshme për t'u mbrojtur" përballë kërcënimeve ruse

Amerika

SHBA "të gatshme për t'u mbrojtur" përballë kërcënimeve ruse

Më: 2 mars 2018 Në ora: 18:57
Foto ilustrim

Hartuesit amerikanë të politikave ushtarake nuk po u japin rëndësi pretendimeve të Moskës se ushtria ruse disponon një sërë armësh të reja strategjike bërthamore që mund të godasin çdo objektiv kudo në botë. Në një fjalim që i paraprin zgjedhjeve presidenciale ruse, Presidenti Vladimir Putin u krenua me aftësitë e reja të ushtrisë së tij. Por zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se kjo është tashmë një retorikë tashmë e njohur.

Presidenti rus Valdimir Putin i bën jehonë një arsenali të ri armësh “të pamposhtura” bërthamore, gjë që nuk e befason Shtëpinë e Bardhë.

"Presidenti Putin ka konfirmuar atë që qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka ditur për një kohë të gjatë dhe që Rusia e ka mohuar. Kremlini ka prodhuar sisteme destabilizuese të armatimit prej më shumë se një dekade në shkelje të drejtpërdrejtë të detyrimeve të tij ndërkombëtare", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders.

Presidenti rus pretendon se armët e reja, një raketë bërthamore me preçizion të lartë, një nëndetëse bërthamore dhe një raketë e re hipersonike, kanë një rreze të pakufizuar veprimi dhe janë në gjendje t’u shmangen sistemeve amerikane të mbrojtjes nga raketat.

Pentagoni iu referua të paktën dy prej armëve, raketës hipersonike dhe silurit bërthamor, në reagimin e tij.

"E kemi vëzhguar Rusinë për një kohë të gjatë. Nuk habitemi. Duam të sigurojmë popullin amerikan se jemi plotësisht të përgatitur", tha zëdhënësja e Pentagonit, Dana White.

Në botën reale pasojat duket të largëta.

"Teknikisht, nuk besoj se ata janë në gjendje të ndryshojnë gjithçka", thotë

Sim Tack, analist ushtarak.

Megjithatë siç thotë Sim Tack mund të kenë një ndikim.

"Mund të ketë ndikim deri në atë masë që njerëzit të mund ta shohin përsëri Rusinë si një kërcënim të fuqishëm".

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes dhe të shërbimeve të fshehta thonë se ideja e një Rusie fuqi e madhe në skenën botërore, ka qenë një motivim kryesor për përfshirjen e Putinit në Ukrainë dhe Siri.

Një gjë që ai e bëri sërisht të qartë dje në Moskë.

"Gjithçka që ju donit ta pengonit me politikat tuaja, ka ndodhur tashmë. Nuk arritët ta frenoni Rusinë", tha Vladimir Putin./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test