SHBA, sot protesta mbarëkombëtare kundër dhunës me armë - Bota Sot
SHBA, sot protesta mbarëkombëtare kundër dhunës me armë

Amerika

E hënë, 22 tetor 2018

SHBA, sot protesta mbarëkombëtare kundër dhunës me armë

Më: 14 mars 2018 Në ora: 15:24
Pamje nga protesta

Dhjetëra mijëra nxënës e mësues në mbarë Shtetet e Bashkuara do të dalin në protestë të mërkurën ndaj asaj që e shohin si pasivitet nga Kongresi për të luftuar dhunën nga armët e zjarrit në Shtetet e Bashkuara.

Nxënësit do të dalin nga klasat në orën 10 sipas orës lokale, për një protestë 17 minutëshe, që nderon 17 viktimat e vrara një muaj më parë në Florida në shkollën e mesme Marjory Stoneman Douglas. Parashikohet që në të gjithë vendin të ketë rreth 3 mijë protesta të tilla.

Një pjesë e mirë e protestave janë organizuar me miratimin e drejtorisë së shkollës. Por në disa shkolla ku nxënësit kanë njoftuar se do të dalin në protestë, administrata ka paralajmëruar të rinjtë se do të vuajnë masa disiplinore për largim nga mësimi.

Kjo është vetëm një ndër protestat e planifikuara me këtë temë. Më 24 mars pritet që në Uashington të mblidhen qindra mijëra vetë për të protestuar nën parullën Jetët Tona, pra me thirrjet për masa që mbrojnë nga dhuna me armë zjarri qytetarët dhe sidomos nxënësit që kanë qenë objektivi i preferuar i vrasjeve masive. Më 20 prill, kur mbushen 19 vjet nga masakra në shkollën e mesme Columbine në Kolorado do të zhvillohet një tjetër protestë gjatë ditës mësimore.

Nxënësit në shkollën Marjory Stoneman Douglas në Florida, ku 19 vjeçari Nikolas Cruz vrau 17 vetë si sot një muaj më parë, janë vënë në krye të një lëvizjeje mbarë kombëtare me thirrjet për kontroll më të fortë mbi armët.

Shteti i Floridës ka reaguar nën presionin e lëvizjes studentore duke miratuar një javë më parë masa për kontroll më të fortë të armëve të zjarrit, përfshirë rritjen e moshës minimale nga 18 në 21 vjeç për të drejtën e blerjes së armës. Ndër masat e tjera parashikohet armatosja e mësuesve për të mbrojtur veten dhe nxënësit nga akte të dhunshme, një masë që mbështetet nga Presidenti Trump por kundërshtohet nga nxënësit dhe mësuesit./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test