Uashington, së shpejti çelin lulet e famshme të qershisë

Amerika

Uashington, së shpejti çelin lulet e famshme të qershisë

Më: 18 mars 2018 Në ora: 00:46
Washington

Çdo vit në pranverë qindra mijëra njerëz dynden në Uashington për të parë lulëzimin e qershive. Sythet e pemëve mund t’i mbijetojnë temperaturave të ftohta, por kanë nevojë për ditë të ngrohta për të shpërthyer në lule të bardha ose rozë. Për shkak të luhatjes së temperaturave të pranverës, nuk është gjithmonë e lehtë të parashikohet se kur do të lulëzojnë pemët. Duket se këtë vit, lulet mund të çelin pak më herët se zakonisht.

Është e vështirë ta dallosh tani, por së shpejti këto pemë qershie, sikurse çdo vit, do të lulëzojnë në një shfaqje të jashtëzakonshme ngjyrash. E gjitha varet nga moti, thotë Angela Fritz, një metereologe e gazetës “The Washington Post”.

"Nuk mund të parashikohet. Ka pak shkencë pas këtij parashikimi".

Zonja Fritz është një prej ekspertëve të motit që përpiqen të përcaktojë me saktësi se kur do të lulëzojnë sythet. Prej vitit 1912, kur u mbollën pemët e para, datat kanë variuar prej 15 marsit në 18 prill. Por zonja Fritz thotë se sythet po lulëzojnë më herët, gjë që mund të lidhet me ndryshimin e strukturës së motit.

"Shohim se po lulëzojnë më herët nga sa ka ndodhur më parë, një ndryshim që e shohim edhe tek të dhënat. Mesatarja në të shkuarën rrotullohej tek 4 prilli, tani po shohim se gjasat janë më shumta në 31 mars".

Shërbimi i Parkut Kombëtar parashikoi fillimisht se piku i lulëzimit do të ndodhte në mes të marsit. Por rritja e sythave është ngadalësuar për shkak të temperaturave të ftohta jo të zakonshme për sezonin. Ndaj dhe Shërbimi i Parkut e ka korigjuar parashikimin duke përcaktuar datat prej 27 deri më 31 mars.

Por zonja Fritz mendon se gjasat janë më të mëdha që kjo të ndodhë në fillim të muajit prill.

"Ata kanë nevojë vetëm për disa ditë të ngrohta me radhë. Dhe që kjo të ndodhë varet nga moti. Do të ngrohet rreth 15 gradë celcius ndoshta përpara fundit të muajit, por pastaj do të ftohet përsëri. Thjesht nuk mendoj se do të ketë kohë të mjaftueshme për lulet që të arrijnë fazën e lulëzimit të plotë e plot hijeshi të tyre".

Por kur kjo të ndodhë do të jetë një gjë e jashtëzakonshme për t’u parë. Ata që preferojnë një pamje më të shtrirë, mund ta bëjnë këtë nëpërmjet një udhëtimi me anije taksi në lumit Potomak.

"Ka shumë turistë që vijnë në qytet, por ka shumë banorë lokalë që duan të shmangin trafikun dhe zgjedhin anijet për të parë lulëzimin e qershive”, thotë John lake, menaxheri i përgjithshëm i kompanisë “Riverboat Potomac”.

Lulëzimi i qershive zgjat për një kohë të shkurtër, minimumi 2 ditë dhe maksimumi dy javë.

"Ajo që shpresohet, sapo arrin kulmi i lulëzimit, janë temperaturat e buta që do ta vononin procesin dhe do ta zgjasnin kohën e lulëzimit. Nuk duhen erërat e forta apo shiu i rrëmbyeshëm, sepse do të dëmtonin lulet delikate", thotë Mike Litterst zëdhënës i Shërbimit të Parkut Kombëtar.

Shumë prej pemëve të hershme të qershisë janë kalbur me kalimin e viteve, por disa do të lulëzojnë sërisht, për herë të 106-të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat