Shtëpia e Bardhë mbron telefonatën e presidentit Trump me homologun e tij Putin

Amerika

Shtëpia e Bardhë mbron telefonatën e presidentit Trump me homologun e tij Putin

Më: 21 mars 2018 Në ora: 17:53
Trump dhe Putin

Shtëpia e Bardhë i ka dalë në mbrojtje bisedës telefonike që Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi dje me presidentit rus Vladimir Putin për ta përgëzuar për fitoren e tij në zgjedhje. Ndërkohë në një shkrim të gazetës “Washington Post” thuhej se ekipi i këshilltarëve të sigurisë e pati paralajmëruar zotin Trump që gjatë telefonatës, të mos e uronte zotin Putin për fitoren. Telefonata e së martës mes dy presidentëve përkoi me publikimin e gjetjeve të hetimit të kryer nga një komision i Senatit, sipas të cilit Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016. Dje zoti Trump nuk i përmendi gjetjet e komisionit, por foli mbi nevojën për t'u takuar me zotin Putin për të diskutuar çështje me rëndësi globale.

Duke folur për gazetarët gjatë një takimi me një delegacion të Arabisë Saudite, presidenti Trump e vlerësoi bisedën e tij me zotin Putin si "shumë të mirë".

"Patëm një bisedë shumë të mirë dhe mendoj se ndoshta do të takohemi në një të ardhme jo shumë të largët për të diskutuar mbi garën e armatimeve, e cila po del jashtë kontrollit. Ne kurrë nuk do të lejojmë askënd që të disponojë diçka, qoftë edhe pranë asaj që kemi ne. Do të diskutojmë gjithashtu edhe për Ukrainën, Sirinë, Korenë e Veriut dhe çështje të ndryshme”.

Ndërkohë, komisioni i Zbulimit në Senat njoftoi se një hetim i kujdesshëm në çdo shtet provoi pa dyshim se Rusia është përpjekur të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2016.

"Rusia u përpoq të depërtojë në 21 shtete dhe ne dimë se ata ishin të suksesshëm të depërtonin në të paktën një bazë të dhënash të votuesve", tha senatori republikan Richard Burr

Anëtarët e komisionit thanë se nuk gjetën prova për ndryshim të votave, qoftë dhe një të vetme, por sipas gjetjeve të hetimit shumica e shteteve kanë sisteme të vjetëruara votimi.

"Ka ende 40 shtete që veprojnë me pajisje zgjedhore më shumë se 10 vjet të vjetra dhe shumë prej pajisjeve kanë programe të vjetëruara, që nuk mund të përmirësohen edhe nëse do të vendosej të bëhej një gjë e tillë", tha senatori demokrat Mark Warner.

Komisioni dypalësh bëri thirrje për modernizimin urgjent të sistemit dhe marrjen e masave të sigurisë për të parandaluar ndërhyrjen në zgjedhjet për Kongresin që mbahen më vonë gjatë këtij viti. Sipas tyre shtetet duhet të mbështesin votimin elektronik dhe me të dhëna në letër.

"Nuk kemi dyshim se Rusia dhe kundërshtarë të tjerë të huaj apo aktorë keqdashës do të vazhdojnë të vënë në shënjestër zgjedhjet tona në një përpjekje për të minuar demokracinë tonë", tha senatori demokrat Martin Heinrich.

Dje Shtëpia e Bardhë tha se biseda miqësore e presidentit Trump me homologun e tij Putin nuk do të thotë se administrata do të jetë e butë përballë sjelljes së keqe të Rusisë.

"Ne kemi vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë dhe një numër gjërash të tjera, duke treguar qartësisht se cili është pozicioni ynë", tha Sarah Huckabee sekretare e shtypit në Shtëpinë e Bardhë.

Por ajo tha gjithashtu se presidenti beson në rëndësinë e ruajtjes së dialogut me Rusinë për çështje me rëndësi globale./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat