“Marshojmë Për Jetët Tona” - tubim në Uashington

Amerika

“Marshojmë Për Jetët Tona” - tubim në Uashington

Më: 24 mars 2018 Në ora: 17:14
SHBA

Qindra mijëra vetë pritet të marrin pjesë në tubimin “Marshojmë Për Jetët Tona” në sot në Uashington.

Tubimi është organizuar nga nxënësit e shkollës së mesme Marjory Stoneman Douglas në Parkland të Floridës, ku 17 persona u vranë më 14 shkurt në ngjarjen e fundit të vrasjeve masive në shkollat amerikane.

Organizatorët po kërkojnë që jeta e fëmijëve të bëhet prioritet për vendin. Ata po kërkojnë gjithashtu t’i jepet fund epidemisë së incidenteve me armë në shkollat amerikane.

Më shumë se 800 marshime të ngjashme janë planifikuar në secilin prej 50 shteteve të Shteteve të Bashkuara dhe në mbarë botën.

Jennifer Smith, një amerikane që jeton në Australi dhe një organizatore e manifestimit “Marshojmë për Jetën Tonë” në Sidnei, tha të shtunën: "Kur i dërgoj fëmijët e mi në shkollë nuk kam pse të shqetësohem se do t’u duhet të bëjnë praktikë për rastin e një sulmi me armë ... Ne ende kemi familje dhe miq në Shtetet e Bashkuara dhe kjo është shpresa ime për të gjithë ata, që të gjithë, pavarësisht nëse janë nxënës që ndjekin shkollën ose thjesht një koncert, nuk duhet të kenë frikë për jetët e tyre".

Amerikanët kanë hezituar të heqin dorë nga armët dhe ka pasur pak ndryshime në ligjet e armëve në përgjigje të të shtënave masive.

Një sondazh i ri i kryer nga Associated Press dhe Qendra për Kërkime të Marrëdhënieve Publike -NORC, tregon megjithatë se kjo ndjenjë mund të ndryshojë. Sondazhi tregon se 69 për qind e amerikanëve të anketuar mendojnë se ligjet e tanishme të armëve duhet të jenë më strikte, nga 61 për qind në tetor të vitit 2016 dhe 55 për qind në tetor të vitit 2013.

Në përgjithësi, anketimi tregoi se 90 për qind e demokratëve, 50 për qind e republikanëve dhe 54 për qind e pronarëve të armëve tani favorizojnë ligje më të rrepta të kontrollit të armëve.

Por, sipas sondazhit, gati gjysma e amerikanëve, nuk presin që politikanët e tyre të ndërmarrin veprime drejt ndryshimit të ligjeve të armëve.

Nxënësit aktivistë, megjithatë, kanë filluar të përqëndrohen në regjistrimin e votuesve për zgjedhjet e mesmandatit në Kongres që zhvillohen në vjeshtë.

Faqja e internetit “Marshojmë për Jetën Tonë” njofton se ka arritur pothuajse qëllimin e saj për të grumbulluar 3.8 milion dollarë fonde.

Aktori George Clooney dhe bashkëshortja e tij, Amal Clooney, një avokate, i dhanë organizatorëve të aktivitetit “Marshojmë për Jetët Tona një donacion prej 500,000 dollarë, i cili u përputh nga aktorja dhe personaliteti televiziv Oprah Winfrey, regjisori Steven Spielberg dhe producenti Jeffrey Katzenberg. Komediania Ellen DeGeneres dhe kompania fotografike Shutterfly njoftoi një donacion të përbashkët prej 50,000 dollarësh. Modelja Chrissy Teigen dhe bashkëshorti i saj muzikant John Legend, premtuan 25,000 dollarë.

Çifti Clooney, komediani Jimmy Kimmel, këngëtarët Ariana Grande, Miley Cyrus, Demi Lovato, dhe Bebe Rexha si dhe aktoret Jennifer Hudson, Sofia Vergara dhe Julie Bowen kanë shprehur synimin për të ndjekur marshimin e sotëm në Uashington./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat