Si u organizuan nxënësit drejt Uashingtonit

Amerika

Si u organizuan nxënësit drejt Uashingtonit

Më: 25 mars 2018 Në ora: 00:40
ilustrim

Mbështetja për nxënësit e mbledhur sot në Uashington po shprehet në mënyra nga më të ndryshmet, që nga fonde të dhuruara dhe deri në transport falas. Shumë personalitete të jetës publike kanë shprehur mbështetje dhe kanë premtuar të marrin pjesë në marshim, ndërsa aktivitete të ngjashme po organizohen në të gjitha shtetet amerikane dhe në mbarë botën.

Nxënës nga mbarë Amerika u mblodhën në kryeqytetin Uashington, duke shpresuar t’u japin një mesazh të fuqishëm ligjvënësve.

“Është e tmerrshme të shkosh në shkollë çdo ditë me mendimin që dikush mund të të sulmojë me armë. Mendoj se ka ardhur momenti për ndryshim”, thotë një nxënëse.

Një grup studentësh mbërriti që nga shteti i Floridës Jugore dhe të tjerë madje erdhën falas me avionin e ofruar nga ekipi i futbollit “Patriots”.

Të shqetësuar nga dhuna me armë, disa familje në Uashington kanë hapur dyert për të mirëpritur nxënësit.

“Kemi gjashtë mysafirë të mrekullueshëm. Tre vajza dhe tre djem nga Florida”, thotë një mikpritëse në Uashington.

Mbështetje shprehën personalitete të mirënjohura, si Oprah Winfrey, Miley Cyrus, dhe Justin Bieber. Shumë prej tyre dhuruan fonde, ndër ta George Clooney dhe Steven Spielberg. Të tjerë si Ariana Grande, Miley Cyrus, Bebe Rexha, Demi Lovato etj. njoftuan pjesëmarrjen në marshim.

Nxënësit nga mbarë SHBA-ja iu bashkuan lëvizjes pranë Kapitolit.

“Zëri ynë është i lartë. Zëri ynë është i qartë. Zëri ynë do të ndryshojë historinë”, tha Kishawn Newman, nxënës nga Chicago.

Ndjenja e hidhërimit mbizotëron nxënësit e shkollës së mesme “Marjory Stoneman Douglas” ku u vranë 17 vetë me armë. Ata kanë një mesazh për ligjvënësit.

“Të marshojmë së bashku nën ritmin e drejtësisë. Mjaft më...”, tha nxënësi Demitri Hoth.

Një sondazh i ri nga Associated Press dhe Qendra për Kërkime të Marrëdhënieve Publike -NORC tregon se 69 për qind e amerikanëve të anketuar mendojnë se ligjet e tanishme të armëve duhet të jenë më strikte, nga 61 për qind në tetor të vitit 2016 dhe 55 për qind në tetor të vitit 2013.

Në përgjithësi, anketimi tregoi se 90 për qind e demokratëve, 50 për qind e republikanëve dhe 54 për qind e pronarëve të armëve tani favorizojnë ligje më të rrepta të kontrollit të armëve.

Por, sipas sondazhit, gati gjysma e amerikanëve, nuk presin që politikanët e tyre të ndërmarrin veprime drejt ndryshimit të ligjeve të armëve.

Nxënësit aktivistë, megjithatë, kanë filluar të përqëndrohen në regjistrimin e votuesve për zgjedhjet e mesmandatit në Kongres që zhvillohen në vjeshtë./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat