Nderohen ithtarët e lirisë së shprehjes

Amerika

Nderohen ithtarët e lirisë së shprehjes

Më: 19 prill 2018 Në ora: 17:51
SHBA

Grupet që mbrojnë lirinë e fjalës nderuan kohët e fundit disa gazetarë amerikanë që kanë zbuluar abuzime të përhapura seksuale në sferën politike, botën e sportit dhe industrinë e filmit, si dhe dy olimpistë që shfrytëzuan famën që kishin marrë nga sporti për të nxjerrë në pah padrejtësitë afro 50 vjet më parë. Në 1968, John Carlos dhe Tommie Smith me kokën ulur, ngritën grushtat në podiumin e Lojërave Olimpike në shenjë proteste ndaj padrejtësive që vuanin afrikano-amerikanët në Shtetet e Bashkuara.

Ish-basketbollisti Kareem Abdul Jabbar u dorëzoi olimpistëve Tommie Smith dhe John Carlos çmimin për qëndresën simbolike pesë dekada më parë. Smith thotë se ende është e nevojshme të ngrihet zëri:

“Shprehja e lirë duhet të jetë një tingull i pandalur, përmes edukimit, pasi ende nuk është përmbushur misioni ynë i barazisë. Ballafaquar me këto probleme, kjo luftë vazhdon. Shumë prej nesh kërkojmë komfortin duke mos u angazhuar, por sado të përpiqemi nuk mund t’i fshihemi realitetit”.

Pasi bëri shaka për faktin se sa janë plakur, ish-olimpisti Carlos tha se akti i tij ishte për të mirën e brezit të ri:

“Kur e bëra atë akt në moshën 23-vjeçare, nuk doja t’ia dija për veten. Por shqetësohesha për të ardhmen e djalit dhe të fëmijëve të tij. Doja që dikush të ngrinte zërin që ata të kenë mundësi të barabarta për sukses”.

Smith theu rekordin olimpik botëror në garën e 200 metrave në Olimpiket e 1968 në Qytetin e Meksikos. Carlos doli i treti. Dy atletët u ngjithën në podiumin e medaljeve pa këpucë për të simbolizuar varfërinë, me rruaza në qafë për të përfaqësuar viktimat e linçimit, ngritën grushtat, veshur me doreza të zeza kur filloi himni i flamurit, në shenjë proteste ndaj padrejtësive që vuanin afrikano-amerikanët. Australiani Peter Norman që ishte në podium me dy amerikanët, kishte vënë një stemë në kraharor për të treguar përkrahje.

Në të njëjtën ceremoni u nderuan edhe 13 gazetarë për raportime origjinale dhe domethënëse që kanë nxjerrë në dritë problemin e abuzimeve seksuale në vendin e punës, ku spikati raportimi i gazetës Indianapolis Star mbi mjekun e ekipit olimpik të gjimnastikës që kishte abuzuar mbi 100 vajza të mitura prej vitesh.

“Ne gjithmonë kemi synuar të ngremë zërin për viktimat e heshtura, të nxjerrim në pah probleme brenda sistemit, të garantojmë sigurinë e fëmijëve që merren me gjimnastikë,” tha gazetarja investigative Marisa Kwiatkowski.

Raportime të tjera nxorën abuzimet seksuale të Harvey Weinstein, një producent i fuqishëm në Hollivud, si dhe të ish-guvernatorit të Alabamës Roy Moore gjatë fushatës së tij për Senat.

“Fakti që puna që bëjmë ndikon disi në rrjedhën e ngjarjeve, është diçka e mrekullueshme, pasi në shumicën e rasteve nuk ndodh një gjë e tillë. Ne informojmë publikun, u japim amerikanëve të dhëna të rëndësishme, por nuk ndodh shpesh që të ndryshojmë perceptimin e amerikanëve për institucione si Kongresi, apo Shtëpia e Bardhë,” tha gazetari i “Washington Postit” Paul Farhi.

Roy Moore humbi në zgjedhje, Harvey Weinstein u përjashtua nga kompania e tij, ndërsa këto raportime u bënë katalizatore ndryshimesh në sferën politike dhe klimën sociale./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat