Java kaotike e presidentit Trump

Amerika

Java kaotike e presidentit Trump

Më: 28 prill 2018 Në ora: 23:05
Donald Trump

Ishte një tjetër javë e rëndësishme në presidencën e Donald Trump. Presidenti priti dy nga aleatët kryesorë të Shteteve të Bashkuara, Emmanuel Macronin e Francës dhe Angela Merkelin e Gjermanisë. Por kjo javë u shoqërua edhe me kokëçarje, me më shumë trazira nga kabineti i tij, ndërkohë që vazhdon procesi hetimor mbi përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale dhe u intensifikuan hetimet mbi avokatin e tij personal, Michael Cohen.

Presidenti Trump së fundmi u takua me kancelaren gjermane Angela Merkel, duke përfunduar një tjetër javë kaotike në Shtëpinë e Bardhë.

Trump mirëpriti me entuziazëm një raport nga republikanët e Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve që nuk gjeti prova mbi asnjë lloj marrëveshjeje midis fushatës së zotit Trump dhe Rusisë.

“Ishte një raport i mirë. Asnjë marrëveshje s’kishte, gjë që e dija gjithsesi. Asnjë koordinim, asgjë. Kjo është gjueti shtrigash. Nuk ka bashkëpunim me Rusinë, nëse mund ta besoni këtë” tha presidenti.

Më parë gjatë javës, Presidenti Trump tregoi miqësinë e tij me presidentin francez Emmanuel Macron gjatë një vizite zyrtare shtetërore.

“Ai do të jetë një president i shquar. Një nga presidentët tuaj të mëdhenj dhe është një nder t’ju quaj miku im. Faleminderit”.

Mike Pompeo, kandidati i presidentit Trump për postin e Sekretarit të Shtetit, më në fund mori konfirmimin nga Senati kësaj jave.

Por kishte edhe pengesa. Ronny Jackson u tërhoq si kandidat i presidentit për të kryesuar Departamentin e Çështjeve të Veteranëve. Po këtë javë, Kongresi u mor intensivisht me shefin e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Scott Pruitt, i cili është kritikuar për keqpërdorim fondesh qeveritare.

Ishte një javë tjetër ulje-ngritjesh dramatike që janë bërë një tipar i rregullt i presidencës së Trumpit, thotë analisti Jim Kessler.

“Unë nuk mendoj se ai punon mirë në kaos. Ai krijon kaos dhe kjo është mënyra se si ka punuar Shtëpia e Bardhë dhe Uashingtoni”.

Përveç hetimit të Rusisë të udhëhequr nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller, problemet ligjore me të cilat përballet avokati personal i presidentit, Michael Cohen, vazhdojnë t’i sjellin probleme administratës.

John Fortier është me Qendrën e Politikave Dypartiake në Uashington.

“Është një javë me ulje dhe ngritje. Qeverisja është gjithmonë shumë interesante me Donald Trump, por vazhdojmë të ndjehemi sikur jemi në cirk me kandidaturët për kabinete dhe me skandalet që vazhdojnë”.

Presidenti Trump shpreson se lajmet e mira për përmirësimin e marrëdhënieve midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut dhe miqësisë së tij të ngushtë me Macron do të marrin përparësi mbi pengesat, thotë Jim Kessler.

“Trump ndihej mirë për lidhjen e ngushtë me Macron dhe Macroni e ngriti veten në skenën botërore. Në këtë aspekt ishte një javë e mirë për Donald Trump pavarësisht nga të gjitha të tjerat që ndodhën”.

Trump gjithashtu gjeti kohë gjatë javës të luante rolin e guidës për fëmijët e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, në ditën kur punonjësit marrin fëmijët në punë.

Ishte një tjetër shembull që dëshmon se këtij presidenti i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes dhe në qendër të stuhive politike./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat