SHBA, lindjet shënojnë nivelin më të ulët në 30 vite

Amerika

SHBA, lindjet shënojnë nivelin më të ulët në 30 vite

Më: 17 maj 2018 Në ora: 21:18
Foto ilustrim

Lindjet në Shtetet e Bashkuara kanë rënë në nivelin më të ulët në 30 vite, duke shënuar një ndryshim të madh kulturor, pasi sipas ekspertëve, arsyeja është që femrat vonojnë sjelljen në jetë të fëmijëve.

Në vitin 2017, në SHBA lindën 3.85 milionë bebe, numri më i ulët që prej vitit 1987, e arsyeja për këtë janë më pak lindje mes femrave në adoleshencë dhe në të 20-at.

Ulja e numrit të lindjeve është një fenomen i zakonshëm te vendet e zhvilluara. Por, ndërsa lindjet ranë te femrat e reja, ato u rritën gjatë vitit të fundit në SHBA te femrat mes 40 dhe 44 vjeç.

Sipas ekspertëve, të dhënat tregojnë qartë se gratë kanë zgjedhur që të punojnë dhe të shtyjnë për më vonë rolin e nënës. Kjo do të thotë se femrat po arsimohen më shumë, janë pjesë e forcës së punës dhe po ndjekin karrierat e tyre.

Analistët thonë se trendi i kësaj vonese për t’u bërë nëna do të vazhdojë, jo vetëm për arsyet e përmendura, por edhe për faktin se Shtetet e Bashkuara nuk kanë një politikë që të ndihmojë femrat pas lindjes.

Shtetet e Bashkuara janë vendi i vetëm i zhvilluar në botë që nuk garanton leje të paguar lindjeje për prindërit e rinj. Ekspertët thonë gjithashtu se ulja e lindjeve nuk është ende shqetësuese dhe numri i popullsisë së Amerikës do të vazhdojë të rritet, por më ngadalë.

Diçka që sidoqoftë mund të pengojë disi planet antiemrigacion të presidentit Donald Trump. Më pak lindje do të thotë më pak të rinj në forcën e punës dhe numrat diku duhet të plotësohen, që ekonomia të mos e ndiejë goditjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat