Koment: Venezuelë - në Jug asgjë e re - Bota Sot
Koment: Venezuelë - në Jug asgjë e re

Amerika

E premte, 16 nëntor 2018

Koment: Venezuelë - në Jug asgjë e re

Më: 22 maj 2018 Në ora: 09:00
Nicolas Maduro

Fitorja e pushtetmbajtësit Maduro pritej. Zgjedhjet presidenciale në Venezuelë zgjojnë vetëm dëshpërim dhe pafuqi. Ai që është ende në gjendje do të largohet nga vendi. Ai që rri duhet të mbyllë sytë.

Këto shprehje entuziazmi venezuelianët i njohin mirë: "Tendenca është e pakthyeshme" thotë duke iu marrë zëri nga emocioni shefja e autoritetit të zgjedhjeve në orën 22, pas rreth katër orë pritjeje. Sistemi elektoral "tepër modern, digjital" ka konstatuar se 68 përqind e votave janë dhënë për Maduron, Presidenti i vjetër është edhe i riu. Një "rekord historik", shpall fituesi vetë, asnjëherë më parë një kandidat për zgjedhjet presidenciale nuk ka triumfuar me një dallim prej 47 përqind në "një referendum kaq të madh popullor". Në fjalimin e tij të falenderimit, Maduro nuk lë t'i shpëtojë as shansi, për të bubullitur edhe njëherë kundër rivalit të tij: kandidati opozitar Henri Falcon te ai quhet "Falsón" (në shqip: i falsifikuar).

Populli vuan nga uria

Mënyra si vepron Maduro nuk është më e panjohur për askënd. Ai nuk ka rezerva që t'i dërgojë "në ferr" drejtues të tjerë të shtetit dhe ai nuk ka turp që t'u përgjigjet letrave kritike nga populli në transmetime të drejtëpërdrejta televizive me shaka të fëlliqura. Paturpësia e tij vetëm mund ta bëjë të buzëqeshë me tallje dikë që është larg, por ajo pushon së qenuri gazmore kur hyn në vendin e tij. Sepse Venezuela po shpërbëhet në pjesë.

Image

Nën tokë ndodhen rezervat më të mëdha të naftës të botës, sipër fëmijë trevjeçarë nxjerrin mbeturina ushqimesh nga qese plehrash. Uria e tyre është kaq e madhe, sa ata madje lëpijnë edhe kockat e hedhura të mishit. Fëmijë tetë deri dhjetëvjeçarë udhëtojnë deri dy orë në lagjet më të pasura, për të gjetur atje "mbeturina ushqimi më të mira". Disa herë në ditë policia i dëbon që atje. Të moshuarit me pensionin e tyre mujor arrijnë të blejnë vetëm një mollë ose dy litra qumësht.

Benzinën nuk mund ta hash

Dhe megjithatë, shumë "shavistë", mbështetës të parardhësit të Maduros Hugo Chavez, shesin mend me arritjet e supozuara të "socializmit të tij të shekullit të 21-të". Me rrogën e një muaji ata mund ta ngarkojnë veturën me benzinë për një vit rresht. Që qytetarët e tjerë që vuajnë nga uria nuk mund ta hanë benzinën shumë të subvencionuar, kjo u intereson pak. Ata i përmbahen tezës që gjendja e vendit është shkaktuar nga sanksionet ndërkombëtare dhe çmimet e ulëta të naftës.

Image
Ofelia Harms

Aparati propagandistik i regjimit është aq i fortë, sa shavistë të bindur thjesht e pranojnë si të natyrshëm rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Edhe nëse ata vetë habiten për pjesëmarrjen me sa duket kurrë më parë të ulët në votime, kurrë më parë ata nuk i kanë parë kaq të zbrazëta lokalet e votimeve. Por kjo përshtypje u korrigjua shumë shpejt nga autoritetet e organizimit të zgjedhjeve, dhe kështu ata që dyshojnë duhet t'i mbyllin edhe më tej sytë. Sepse më e mirë gjendja me një qeveri ta panjohur ndërkombëtarisht nuk mund të bëhet.

BE, SHBA dhe 14 shtete të Amerikës Latine nuk do ta njohin rezultatin e zgjedhjeve. Por si mjete presioni atyre u mbeten vetëm sanksionet. Që ato të jenë të efektshme, ato duhet të prekin edhe venezuelianët e thjeshtë. Kjo do të thotë: më shumë varfëri, më shumë ikje nga vendi.

Romani i famshëm i Erih Maria Remarkut "Asgjë e re në Perëndim" përshkruan mungesën e shpresës të ushtarëve në llogoret e Luftës së Parë Botërore. Ngjashëm duhet të ndihen këtë të hënë edhe shumë venezuelianë kur të lexojnë citatet e Presidentit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test