Historia e hekurudhave amerikane - Bota Sot
Historia e hekurudhave amerikane

Amerika

E mërkurë, 21 nëntor 2018

Historia e hekurudhave amerikane

Më: 26 maj 2018 Në ora: 22:51
ilustrim

Hekurudha e parë në Shtetet e Bashkuara daton në vitin 1828. Hekurudha me një gjatësi prej 25 kilometrash u ndërtua në shtetin Meriland, fare pranë kryeqytetit amerikan. Në ditët e sotme, trenat amerikanë duken shumë ndryshe, të modernizuar, të shpejtë dhe të rehatshëm.

Lokomotiva e parë amerikane me avull, e quajtur “Tom Tumb”, filloi udhëtimin në Baltimore. Me 20 kilometra në orë, lokomotiva udhëtonte shumë shpejt për standartet e atëhershme. Madje, gazetat thoshin se një udhëtim kaq i shpejtë mund të çonte në humbje dëgjimi dhe shikimi. Courtney Wilson është drejtor i muzeumit “B&O Railroad”:

“Po ta shikosh, duket si një pajton klasik amerikan. Por rrotat i ka të ndërtuara posaçërisht për ndjekur shinat e herukudhës.”

U deshën dhjetë vite që mjetet hekurudhore të merrnin pamjen e lokomotivave me avull që kemi parë nëpër filma.

Lokomotiva 25 është një prej thesareve më të çmuara të muzeut. Gjatë Luftës Civile ajo transportonte trupat e Unionit dhe madje edhe vetë Presidentin Abraham Linkoln në inaugurimin e tij.

Gjatë shekullit 20, lokomotivat u bënë yje të kinemasë që nga koha e aktores Elizabeth Taylor e deri tek aktori i sotëm Will Smith.

Nga sinonimi si mjete transporti, lokomotivat u tjetërsuan edhe në vepra arti.

“Në këtë makineri të bukur gjen edhe shumë zbukurime, lyerja me bojë e formave të ndryshme dhe ngjyra pikante. Këto po zhduken nga hekurudhat amerikane. Por kjo lokomotivë e ndërtuar në vitin 1876 ndihmoi në hapjen e Perëndimit Amerikan”,thotë zoti Wilson.

Por të shkoje në frontin Perëndimor Amerikan nuk ishte e lehtë. Çdo gjë mund të bëhej pengesë për motorët, edhe një kope me lopë. Në ballin e trenit ishte montuar një pajisje prej hekuri për të shmangur përplasjen e drejtpërdrejtë me lopët.

Nga vitet 1930 lokomotivat humbën pamjen e vjetër dhe filluan të ngjajnë me anijet hapësinore. Viti 1947 shënoi ardhjen e lokomotivës me avull me motorin më të madh dhe më të fuqishëm që kishte parë bota. Motori kishte aq fuqi sa mund të tërhiqte qindra vagona të mbushur me qymyr. Megjithë këtë, fundi i epokës së lokomotivave me avull po dukej në horizont.

“Kjo lokomotivë ‘Jersey Central Lines numer 1000’ ndoshta është më e rëndësishmja në botë sepse është e para e këtij lloji. Ndërsa kjo kuti e vogël me motor me naftë do të eliminonte gjigandin me avull”, thotë drejtori i muzeut.

Vitet 50-të sollën zhvillime të shpejta të transportit ajror dhe rrjetin e autostradave, duke ulur rëndësin e trenave. Sot, trenat e shpejtë gjenden vetëm në Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara.

Me kalimin e viteve ka rënë edhe popullariteti i trenave, pjesërisht nga transporti ajror i cili në disa raste është më pak i kushtueshëm dhe më i shpejtë. Themeluesi i “SpaceX” Elon Musk planifikon të ndërtojë sistemin “Hyperloop”, ku treni do të kapje shpejtësinë rreth 1200 kilometra në orë, duke sjellë shpresa për rikthimin e popullaritetit të trenave./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test