Tradita e flamujve në Varrezën Kombëtare të Arlingtonit

Amerika

Tradita e flamujve në Varrezën Kombëtare të Arlingtonit

Më: 28 maj 2018 Në ora: 06:27
ilustrim

Mijëra flamuj valëviten këtë fundjavë tek Varreza Kombëtare e Arlingtonit, në shtetin Virxhinia. Për mbi 60 vjet, njësia ceremoniale e ushtrisë, e njohur si Garda e Vjetër, ka vendosur flamuj në mbarë varrezën ushtarake në vigjilje të Ditës së Kujtesës. Kjo ditë e shënuar kombëtare, e cila kremtohet të hënën e fundit të muajit maj, nderon burrat dhe gratë që dhanë jetën gjatë shërbimit ushtarak. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Deborah Block, shpjegon traditën e vendosjes së flamujve.

Ushtarët ecin përgjatë Varrezës Kombëtare të Arlingtonit për të vendosur flamurë përpara çdo një prej mbi 230 mijë gurë varri. Flamurët nderojnë ushtarakët e varrosur këtu, shumë prej të cilëve dhanë jetën duke mbrojtur vendin e tyre.

Këtu prehet edhe një ushtar 21-vjeçar i vrarë gjatë luftës në Irak në vitin 2011. Vëllai i tij më i vogël erdhi ta vendoste flamurin vetë.

“Të duam dhe na mungon çdo ditë... Shpresoj të të kem bërë krenar”, thotë me lot në sy Dakota Williams.

Varreza gjendet pranë një baze ushtarake, ku ka selinë edhe Garda e Vjetër, Regjimenti i 3-të i Këmbësorisë. Ushtarët e kësaj njësie kanë mundësinë të vizitojnë varret e familjarëve dhe shokëve të tyre.

“Vij për ta vizituar edhe gjatë vitit. Çdo dy javë marr drekën me vete dhe bashkëbisedojmë”, thotë rreshteri i parë, Phillip Durousseau.

Gur mbas guri, ushtarët vendosin nga një flamur për bashkëluftëtarët e rënë.

Ky është një moment emocionues për ushtarët që marrin pjesë për herë të parë në vendosjen e flamujve.

“Vetëm të shikosh se sa shumë njerëz humbën jetët e tyre dhe të jesh në gjendje t’u vendosësh flamurin në gurin e varrit, ka domethënie të madhe për mua”, thotë ushtarja Ashanta Harris.

Edhe Nënpresidenti Mike Pence erdhi për të nderuar të rënët.

Ndërsa komandanti i Gardës së Vjetër vendos në heshtje nga një flamur për çdo varr, thotë se çdo ushtar ka domethënie të vërtetë.

“Ne jemi të gjithë ushtarakë dhe këtu na jepet mundësia të nderojmë ata që dhanë jetën përpara nesh. Është vërtet e rëndësishme ta bëjmë këtë gjë për familjarët që nuk munden të jenë këtu”, thotë kolonel Jason Garkey.

Flamujt qëndrojnë në nderim të këtyre ushtarakëve të rënë – një mirënjohje për sakrificën e tyre./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat