OKB: SHBA duhet të ndalojë ndarjen e familjeve në kufi

Amerika

OKB: SHBA duhet të ndalojë ndarjen e familjeve në kufi

Më: 5 qershor 2018 Në ora: 18:59
Policia duke arrestuar disa persona teksa kanë bërë përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin

Zyra për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara, i ka bërë thirrje administratës së presidentit amerikan, Donald Trump “të ndalojë menjëherë” politikën e ndarjes së fëmijëve nga prindërit e tyre kur ata kalojnë kufirin amerikan me Meksikën, duke insistuar se “nuk është masë normale ndalimi i fëmijëve”.

Zëdhënësja për refugjatët në OKB, Ravina Shamdasani, ka përmendur qindra raste kur fëmijët janë larguar nga prindërit që janë burgosur për të shkak të kalimit ilegal të kufirit.

”Ndalimi i imigrantëve dhe ndarja e familjes është hap kundër standardeve dhe parimeve të të drejtave të njeriut”, është cituar të ketë thënë Shamdasani.

“Interesi i fëmijëve duhet të jetë në rend të parë”, ka shtuar ajo.

Administrata e Trumpit është duke zbatuar politikën “zero tolerancë” që lejon ndarjen e fëmijëve me prindërit e tyre në kufi.

Politika, e prezantuar fillimisht në muajin prill nga Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions, lejon autoritetet të marrin të gjitha masat kur është fjala për kalimet ilegale të kufirit.

Politika në fjalë nuk përmend ndarjen e familjeve, mirëpo protokolli amerikan ndalon burgosjen e fëmijëve sepse këta të fundit nuk akuzohen për krimet e prindërve të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat