Seancë dëgjimore për skandalin seksual të gjimnastikës

Amerika

Seancë dëgjimore për skandalin seksual të gjimnastikës

Më: 6 qershor 2018 Në ora: 18:33
Larry Nassar është dënuar me burgim të përjetshëm për abuzime seksual me qindra gjimnaste të reja, përfshirë atlete olimpike amerikane.

Senatorët amerikanë i drejtuan pyetje dje ish-presidentit të Universitetit Shtetëror të Miçiganit dhe disa ish zyrtarëve të Organizatës së Gjimnastikës Amerikane për të përcaktuar se çfarë mund të bëhet në të ardhmen për të parandaluar abuzimin seksual të atletëve. Një panel i Senatit po zhvillon një seri seancash dëgjimore për të hetuar se sa zyrtarë ishin në dijeni për ngacmimet seksuale në vite nga një ish-mjek i gjimnastikës. Larry Nassar është dënuar me burgim të përjetshëm për abuzime seksual me qindra gjimnaste të reja, përfshirë atlete olimpike amerikane. Zyrtarët e lidhur me skandalin, mohojnë çdo përgjegjësi individuale gjatë viteve të shumta që të abuzimit të pakontrolluar të Nassarit.

Përpara seancës dëgjimore, Senatori Richard Blumenthal vlerësoi trimërinë e të mbijetuarve që sollën në dritë vitet e abuzimit të të miturve në fushën e atletikës. Shumica e tyre ishin gra. Blumenthal fajësoi, siç u shpreh ai “kulturën e heshtjes” që "ndihmoi dhe përkrahu Larry Nassarin dhe të tjerë si ai".

"Secili nga individët që do të dëshmojë përpara nesh këtë pasdite, dështoi në një mënyrë mjaft të qartë të mbronte këto gra të reja. Dhe ka shumë individë të tjerë që kanë dështuar në mënyrë të ngjashme. Më shumë se sa individët, është sistemi ai që ka dështuar”, tha senatori.

Pas skandalit që çoi në dënimin e Nassarit, disa njerëz u akuzuan se nuk vepruan siç duhet në raportimin e abuzimeve. Midis tyre ishte edhe ish presidentja e Universitetit Shtetëror të Miçiganit, Lou Anna Simon. Nassar ishte mjeku sportiv i universitetit gjatë qëndrimit të saj në atë post.

"Nuk e dija se ai po abuzonte seksualisht gratë e reja derisa një ish-gjimnaste paraqiti me guxim ankesën e saj në vitin 2016. Po ta kisha ditur, do të kisha ndërmarrë veprime të menjëhershme për ta penguar atë dhe për të shpëtuar viktima të tjera".

Disa nga atletet e abuzuara ishin anëtare të ekipit kombëtar të Organizatës së Gjimnastikës Amerikane. Ish-presidenti i saj, Steve Penny nuk u paraqit vullnetarisht dhe nuk pranoi të përgjigjej nëse ishte në dijeni të abuzimeve të Nassarit disa vjet përpara se të shpërthente skandali.

"Bazuar në këshillën e avokatit tim, me respekt unë nuk pranoj t'i përgjigjem pyetjes suaj".

Organizata e Gjimnastikës Amerikane nën drejtimin e zotit Penny është akuzuar se po punon nën “kodin e heshtjes” që do të thotë se njoftimet e abuzimeve ishin fshehur në vend që të hetoheshin. Rhonda Faehn ishte nën-presidente e organizatës deri muajin e fundit.

“Gjithmonë më thoshin se nuk mund të diskutoja asgjë pasi çështja ishte nën një hetim aktiv dhe se çdo gjë, nëse do të flisja, mund të pengonte hetimin”.

Seanca dëgjimore e së martës është pjesë e një hetimi të Kongresit që synon të sigurojë mekanizmat e raportimit sistematik në të gjitha organizatat sportive amerikane për të parandaluar abuzimin e atletëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat