Wrey: Rusia vazhdon përpjekjet për të mbjellë përçarje në SHBA

Amerika

Wrey: Rusia vazhdon përpjekjet për të mbjellë përçarje në SHBA

Më: 19 korrik 2018 Në ora: 19:43
Drejtori i FBI-së, Christopher Wrey

Drejtori i FBI-së, Christopher Wrey thotë se Rusia vazhdon përpjekjet për të mbjellë përçarje në Shtetet e Bashkuara. Zoti Wrey i bëri komentet dje në Forumin e Sigurisë të organizuar nga Instituti Aspen në Kolorado.

Drejtori i FBI-së tha se Moska vazhdon operacione sekrete për të manipuluar perceptimin e amerikanëve për tema të rëndësishme:

“Ende nuk kemi identifikuar përpjekje për të ndërhyrë tek infrastruktura e zgjedhjeve të kësaj radhe. Por kemi vërejtur përpjekje të tjera për ndikim negativ përmes operacioneve aktive, që fare pak i ndan nga ndërhyrjet në nivel më të lartë. Për mendimin tim ky është një kërcënim që duhet marrë shumë seriozisht”.

Komentet e zotit Wrey pasojnë një ditë të ngarkuar me debate lidhur me qëndrimin e Presidentit Trump ndaj përfundimeve të zbulimit amerikan për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016 dhe dilemat nëse presidenti beson se Moska po vazhdon përpjekjet për të ndikuar tek zgjedhjet amerikane.

Zoti Wrey hodhi poshtë ofertën e Presidentit Putin për t’u lejuar Shteteve të Bashkuara qasje tek 12 agjentët e zbulimit rus që janë akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane, në shkëmbim për mundësinë që rusët të marrin në pyetje amerikanët e akuzuar nga Kremili për vepra penale të paspecifikuara.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se po e shqyrton ofertën./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat