E ardhmja e eksplorimit të hapësirës

Amerika

E ardhmja e eksplorimit të hapësirës

Më: 29 korrik 2018 Në ora: 10:01
Presidenti Trump, në qershor, i dha urdhër Pentagonit të krijojë një "forcë të re ushtarake të hapësirës"

49 vjet më parë, në muajin korrik astronautët amerikanë kryen ecjen e tyre të parë në Hënë. Gazetarja e Zërit të Amerikës Greta Van Susteren zhvilloi një diskutim në studio lidhur me eksplorimin e hapësirës dhe cila është perspektiva në këtë fushë, ndërsa propozimi i Presidentit Donald Trump për një forcë të re ushtarake të hapësirës, është ndeshur me pengesa në Kongres.

Ngjante si një sfidë e pamundur në ato vite, kur idenë e hodhi presidenti John F. Kennedy:

“Unë mendoj se vendi ynë duhet t'i përkushtohet një qëllimi, që para fundit të dekadës të çojmë njeriun e parë në Hënë, i cili të kthehet i sigurtë në Tokë".

Tetë vjet më pas ndodhi hapi gjigant i njerëzimit.

“Pasi Presidenti Kennedy e filloi këtë sfidë, arritëm të përjetojmë për herë të parë hapësirën, për 15 minuta. Ishte e paimagjinueshme, por në fakt ne mundëm ta realizojmë dhe vitin e ardhshëm shënohet 50-vjetori I udhëtimit të parë të njeriut në Hënë."- thotë Valerie Neal, drejtoreshë e Muzeut të Hapësirës.

Valerie Neal, drejtoreshë e Muzeumit Kombëtar të Hapësirës, kujton emocionet dhe admirimin që përjetoi kur pa ecjes së parë në Hënë. Por tani, 5 dekada më pas, ajo shqetësohet për mundësinë që hapësira të përdoret si arenë luftrash:

“Çaktivizimi i satelitëve të komunimit, apo i sistemit të navigimit, do ta paralizonte jetën në Tokë. Nejemi të varur tek kjo teknologji. Jemi shumë vigjilentë që kjo të mos ndodhë, por mbetet një kërcënim i pranishëm,"-thotë ajo.

Presidenti Trump, në qershor, i dha urdhër Pentagonit të krijojë një "forcë të re ushtarake të hapësirës":

"Kur është fjala për të mbrojtur Amerikën, nuk është e mjaftueshme të kemi praninë tonë në hapësirë, duam që Amerika të jetë dominuese në hapësirë".

Kongresi, institucioni përgjegjës për krijimin e një dege të re të ushtrisë, nuk është ende i bindur për këtë ide të presidentit. Në fillim të javës, Komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit nuk përfshinë fonde për një forcë të hapësirës në buxhetin e mbrojtes për vitin e ardhshëm, megjithë shtysën nga sektori privat për komercializimin e eksplorimit të hapësirës.

“Ne mendojmë se duhet ta shfrytëzojmë hapësirën për njerëzit."- tha një përfaqësues biznesi.

Aktualisht gjashtë kompani private janë duke u përpjekur për zhvillimin e turizmit në hapësirë dhe ndoshta vetëm pak muaj na ndajnë nga dërgimi i qytetarëve të thjeshtë në orbitë.

“50 vitet e para udhëtimi në hapësirë lidhej me qeverinë, ishte i kushtueshëm dhe i rrezikshëm. Në 50 vitet e ardhshme ka për të qenë ndryshe."- thotë Terry Virts, ish komandant i Stacionit të Hapësirës.

Virts mendon se e ardhmja e industrisë së hapësirës është në dorë të partneritetit publik me atë privat.

Por prirja mund të jetë drejt shtimit të investimeve për biznes, thotë Peter McGrath, i kompanisë "Boeing’.

“Unë do të thoja se zakonisht qeveria është e para dhe pastaj idenë e zhvillon më tej biznesi."- thotë Peter McGrath, i kompanisë Boeing.

Me afrimin e 50-vjetorit të vizitës së parë në Hënë, fokusi kalon tani tek drejtimi që do të marrë shkenca e hapësirës në 50 vitet e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat