SHBA do të mbrojë sistemin e votimit nga sulmet kibernetike

Amerika

SHBA do të mbrojë sistemin e votimit nga sulmet kibernetike

Më: 1 gusht 2018 Në ora: 18:14
Jeanne Shaheen

Vetëm tre muaj kanë mbetur deri në zgjedhjet për Kongresin në Shtetet e Bashkuara dhe ligjvënësit, zyrtarët e qeverisë dhe industritë private po punojnë për të mbrojtur votuesit nga ndërhyrjet kibernetike dhe propaganda e huaj që përpiqet të ndikojë tek opinionet e tyre politike. Ligjvënësit nga të dyja partitë kanë dënuar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale para dy vjetësh dhe kanë bërë thirrje për masa për mbrojtjen e hapësirës kibernetike.

Të martën ligjvënësit amerikanë përshëndetën vendimin e rrjetit social Facebook për të mbyllur 32 llogari të rreme të dyshuara për përpjekje për ndërhyrje në poiltikën amerikane para zgjedhjeve të nëntorit.

Senatorja demokrate Jeanne Shaheen:

"Ne e dimë që nuk bëhet fjalë vetëm për ndërhyrjen në sistemet zgjedhore dhe ato të regjistrimeve shtetërore, por dhe për mbjelljen e përçarjeve në vend, mes politikanëve, mes qytetarëve të zakonshëm”.

Gjigandi i medias sociale nuk ka arritur të gjejë lidhje direkte të këtyre llogarive me Rusinë, por tha se kishte gjetur ngjashmëri me llogari të rreme të menazhuara nga Shën Peterburgu për të manipuluar zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët e administratës thonë se ndërhyrja e Rusisë ka marrë shumë forma.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristjen Nielsen thotë:

"Pati spiunazh kibernetik, rrjedhje të të dhënave të vjedhura, ndërhyrje kibernetike në sistemet e regjistrimit të votuesve, propagandë në internet dhe të tjera. Dua të jem e qartë: Komuniteti ynë i zbulimit e ka të drejtë: bëhet fjalë për rusët”.

Në një konferencë për sigurinë kibernetike në Nju Jork të martën, zyrtarët e lartë amerikanë premtuan masa për të mbrojtur sistemin amerikan të votimit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të tolerojnë asnjë ndërhyrje të huaj në zgjedhjet tona nga asnjë vend tjetër, qoftë nga Rusia, Kina, Irani, Koreja e Veriut ose nga ndonjë vend tjetër”, tha nënpresidenti Mike Pence.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara jo vetëm që po forcojnë mbrojtjen kibernetike, por edhe përgjigjen ndaj sulmeve.

"Ka ikur koha kur Amerika lejonte kundërshtarët të bënin sulme kibernetike ndaj nesh, pa u ndëshkuar. Siguria amerikane do të jetë po aq mbizotëruese në botën dixhitale, sa edhe në botën fizike”.

Ekspertët e teknologjisë thonë se identifikimi i hakerave, nuk i ka frenuar përpjekjet e tyre.

Barbara Ortutay është gazetare për teknologjinë me agjencinë e lajmeve Associated Press.

"Që nga zgjedhjet ato vetëm janë shtuar dhe janë bërë më të sofistikuara. Facebook po e quan sigurinë kibernetike një garë armatimesh. Pra nuk është diçka që do të zhduket, ashtu siç nuk mund të zhduken krimet”.

Zoti Pence tha se qeveria ka nevojë për mbështetjen e sektorit privat dhe çdo qytetari amerikan për të ruajtur hapësirën kibernetike në Shtetet e Bashkuara./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat