Karvani i gjysheve nga Nju Jorku drejt kufirit me Meksikën

Amerika

Karvani i gjysheve nga Nju Jorku drejt kufirit me Meksikën

Më: 5 gusht 2018 Në ora: 20:01
Karvani i gjysheve

Një grup gjyshesh nga shteti Nju Jork janë nisur në një karvan drejt kufirit me Meksikën për të kërkuar bashkimin e menjëhershëm të fëmijëve imigrantë me familjet e tyre, dhe për të protestuar ndaj një politike për paraburgim të pacaktuar për familjet. Mesazhi i tyre, përmes tubimeve, vigjiljeve, dhe këngës është i thjeshtë: nëse një e moshuar mund të udhëtojë në mbarë vendin për të kërkuar ndryshim, edhe ju mund ta bëni këtë.

Kur një grup grashë nga Bikon (Beacon)në Nju Jork, vendosi të ndërmarrë një rol aktiv për të protestuar politikën e zotit Donald Trump për ndarjen e familjeve, ato nuk parashikuan përmasat kombëtare që do të merrte lëvizja. Një ndjenjë zemërimi i mobilizoi gjyshet që të udhëtojnë masivisht drejt kufirit jugor amerikan. Rachna Daryanani është pjesmarrëse e karvanit “Gjyshet Reagojnë”.

“Vjen në kufirin amerikan duke thënë se arrita parajsën, dhe kjo kthehet në një ferr. Nuk ka gjë më të rëndë se kur nuk di se ku ke fëmijët.Ky është ferri më i rëndë në botë.”

Ka kaluar një muaj që kur një gjykatës dha urdhër që më shumë se 2 mijë fëmijë pa dokumente të ribashkohen me familjet e tyre, rezultat i politikës së imigracionit “zero-tolerancë” të administratës aktuale. Por pas afatit të javës së kaluar, qindra fëmijë ende mbeten të ndarë, ndërsa zyrtarët thonë se disa prindër nuk kualifikohen ose nuk kanë të drejtë për ribashkim.

Mes këtij konfuzioni, planet për dy furgona me gjyshe u kthyen në gjashtë. Sikurse pjestarët e tjerë, Ann Schaetzel ka qënë në ballë të përpjekjeve për drejtësi shoqërore që nga vitet 60-të dhe nuk është gati të largohet.

“Kam patur mundësinë të shoh rezultatet e aktivizmit, dhe jam e pikëlluar që është kaq e vështirë për të zgjeruar lëvizjen. Ka shumë probleme dhe njerëzit janë të izoluar. Vlera e kësaj lëvizjeje është se përfshin vetëm dëshirën për mirësi njerëzore”.

Ajo shpreson të japë një shembull se nëse beson në diçka, duhet të bësh më shumë se sa të shikosh televizorin apo të bisedosh me miqtë. Për mbështetësit e pjestarëve të karvanit në Qytetin e Nju Jorkut, akivizmi ka shumë forma. Marty Rajandran është me lëvizjen “Gjyshet e Zemëruara dhe Bijat e Tyre”

“Këndojmë këngë dhe melodi të njohura, por me një mesazh të ri”.

Pjestarët e karvanit planifikojnë të arrijnë në Mekallen (McAllen) të shtetit Teksas, përgjatë kufirit me Meksikën me 6 gusht, atë që organizatorët e quajnë “24 orë veprimi”./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat