SHBA mohon të ketë pasur rol në shpërthimet e Venezuelës

Amerika

SHBA mohon të ketë pasur rol në shpërthimet e Venezuelës

Më: 6 gusht 2018 Në ora: 20:55
Venezuelë

Këshilltari i Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare mohon ndonjë përfshirje të qeverisë amerikane në shpërthimet me dronë të shtunën në kryeqytetin e Venezuelës gjatë një fjalimi të presidentit Nicolas Maduro. John Bolton tha për televizionin Fox News se derisa Maduro të japë prova të forta për akuzat e tij, fokusi duhet të jetë tek korrupsioni dhe shtypja e regjimit të tij. Presidenti i Venezuelës ka premtuar "dënimin maksimal" për atë që ai e quan një përpjekje për vrasjen e tij.

Zyrtarët në Venezuelë thonë se dronët me eksplozivë shpërthyen kur Maduro po u drejtohej trupave në një fjalim televiziv të shtunën. Qeveria Maduro e ka quajtur sulmin një përpjekje për vrasjen e presidentit.

"Kjo ngjarje që ndodhi të shtunën ka arritur një ekstrem shumë të rrezikshëm. Ata kanë bërë një përpjekje për vrasjen e Presidentit Nikolas Maduro", tha Vladimir Padrino, ministër i Mbrojtjes.

Maduro ka fajësuar për sulmin ata që ai i quan grupe të ekstremit të djathtë në Venezuelë, mbështetur nga presidenti kolumbian Juan Manuel Santos dhe nga financierë në Florida. Ministria e jashtme e Kolumbisë reagoi menjëherë me një deklaratë ku thuhet se akuzat ishin absurde. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Xhon Bolton i bëri thirrje qeverisë së Maduros të japë prova për pretendimet e saj.

"Nëse qeveria e Venezuelës ka informacion të besueshëm, që do të tregonte një shkelje të mundshme të ligjit penal amerikan, atëherë do ta shqyrtojmë seriozisht këtë. Por, ndërkohë, mendoj se ajo tek e cila duhet të përqëndrohet është korrupsioni dhe shtypja e regjimit të Maduros në Venezuelë ".

Udhëheqësi autoritar i Venezuelës mori pushtetin në vitin 2013 pas vdekjes së paraardhësit dhe mentorit të tij Hugo Chavez. Maduro u rizgjodh në maj të këtij viti në zgjedhjet e parakohshme që kritikët thanë se nuk i dhanë kohë opozitës të përgatitej. Nën udhëheqjen e Maduros, ekonomia e Venezuelës është shkatërruar dhe qeveria e tij është akuzuar për korrupsion. Kritikët e tij janë burgosur ose janë internuar.

Vetëm dy ditë përpara incidentit të së shtunës, ish-kryeprokurorja e Venezuelës Luisa Ortega paraqiti akuza kundër Maduros në një gjyq simbolik në Kolumbi.

"Ministria e Punëve Publike e Venezuelës ka akuzuar Nicolas Maduron për korrupsion dhe përvetësim të paligjshëm të kapitalit dhe sot filloi procesi gjyqësor."

Zoti Bolton tha se është e vështirë të thuhet se kush nga opozita e gjerë e Maduros mund të ketë ndërmarrë sulmin, të cilin ai tha gjithashtu se mund të jetë "një pretekst i krijuar nga vetë regjimi".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat