Pence: Forca e re e Hapësirës, e nevojshme

Amerika

Pence: Forca e re e Hapësirës, e nevojshme

Më: 9 gusht 2018 Në ora: 20:03
Zëvendëspresidenti i SHBA, Mike Pence

Zëvendëspresidenti i SHBA, Mike Pence, thotë se forca hapësinore e propozuar nga Presidenti Donald Trump është e nevojshme për të "përballuar kërcënimet në këtë fushë të re beteje."

"Tani ka ardhur koha për të shkruar kapitullin tjetër të madh në historinë e forcave tona të armatosura, për t'u përgatitur për fushëbetejën tjetër ... Ka ardhur koha për të ngritur Forcën Hapësinore të Shteteve të Bashkuara," tha zoti Pence në një fjalim në Pentagon. Ai tha se administrata synon që forca e re të jetë në funksionim para vitit 2020.

Në qershor, Presidenti Trump bëri thirrje për krijimin e Forcës Hapësinore, një shërbim i ri ushtarak që ai tha është i nevojshëm për të siguruar dominimin amerikan në hapësirë.

Sekretari i Mbrojtjes James Mattis shprehu skepticizëm vitin e kaluar lidhur me nevojën për një Forcë Hapësinore si shërbim i ri ushtarak, duke përmendur si arsye shtimin e burokracisë dhe të kostove që do të sillte kjo.

Por të enjten, Mattis tha se mbështet krijimin e një komande të re që do të shfrytëzonte degët ekzistuese të forcave të armatosura të vendit.

Pentagoni do të paraqesë së shpejti në Kongres një raport ku do të trajtohen në hollësi planet për krijimin e Forcës Hapësinore.

Kongresi është dega e vetme e qeverisjes që ka autoritetin për të miratuar krijimin e një shërbimi të ri ushtarak./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat