Si do të ndikojë Presidenti Trump tek zgjedhjet e nëntorit?

Amerika

Si do të ndikojë Presidenti Trump tek zgjedhjet e nëntorit?

Më: 9 gusht 2018 Në ora: 20:13
SHBA

Në politikën amerikane, Presidenti Donald Trump dhe republikanët kanë deklaruar fitore në zgjedhjet jashtë radhe për një vend të Dhomës së Përfaqësuesve në Ohajo, të cilat shihen si një tregues për zgjedhjet e Kongresit në nëntor. Zyrtarisht fituesi nuk është shpallur, pasi rezultati është shumë i ngushtë, por të dyja partitë politike shohin shenja inkurajuese.

Në Ohajo, republikani Troy Balderson ka një epërsi të lehtë në zgjedhjet e posaçme që u ndoqën me interes në të gjithë vendin.

"Falenderoj presidentin Trump. Amerika po shkon në drejtimin e duhur dhe ne do të vazhdojmë ta mbajmë në këtë rrugë”.

Zoti Balderson u përball me një sfidë të fortë në një distrikt kryesisht republikan nga demokrati Danny O’Connor, që u përqendrua në çështjet ekonomike.

“Kam dëgjuar vazhdimisht se njerëzve në Ohajon qendrore u ka ardhur në majë të hundës politika e Uashingtonit. Ata duan udhëheqës të rinj”.

Presidenti than ë Twitter se ishte merita e tij që fitoi republikani Balderson dhe premtoi të bëjë më shumë fushatë në javët e ardhshme.

Pozitat e zotit Balderson mund të jenë forcuar nga një tubim i zotit Trump, vetëm pak ditë para zgjedhjeve, kur Presidenti sulmoi demokratët.

“Nëse demokratët fitojnë, ata do të rrisin taksat, krimi do të përhapet gjithandej dhe njerëzit do të kapërcejnë kufirin në masë. Prandaj pse duhet të kemi një valë demokratësh. Mendoj se mund dhe duhet të kemi një valë republikanësh”.

Por fakti që demokrati O’Connor pati pothuasje të njëjtën mbështetje në një distrikt përgjithësisht republikan, mund të jetë një sinjal paralajmërues për republikanët në nëntor, thotë analisti John Hudak.

“Është një tregues më shumë se në garat e këtij viti, republikanët nuk kanë dalë mirë në krahasim me vitin 2016, prandaj mund të kenë probleme në të ardhmen”.

Presidenti Trump mund të ketë ndikuar për zotin Balderson, por ai mbetet një figure polarizuese për elektoratin e gjerë, thotë guvernatori republikan i Ohajos, John Kasich.

“Kaosi që duket se rrethon Donald Trumpin ka nervozuar shumë njerëz. Gratë në veçanti janë ato që janë zhgënjyer”.

Presidenti duhet se motivon si bazën e tij, ashtu edhe demokratët e opozitës, thotë John Hudak.

“Megjithëse ndërhyrja e tij, ose ndoshta ajo e guvernatorit Kasich, ose e dikujt tjetër mund të ketë ndikuar tek epërsia prej 1 mijë e 700 votash në Ohajo, presidenti ka gjasa që të ketë luajtur rol edhe në ndryshimin e prirjes nga pro republikanë në pro demokratë në një garë të tillë”.

Gara e Ohajos është treguesi më i fundit se votuesit e shohin gjithnjë e më tepër Presidentin Trump si çështjen qendrore në zgjedhjet e Kongresit ku do të përcaktojë kontrollin e Kongresit./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat