Kundërprotestuesit zbehin marshin e nacionalistëve të bardhë në Uashington - Bota Sot
Kundërprotestuesit zbehin marshin e nacionalistëve të bardhë në Uashington

Amerika

Kundërprotestuesit zbehin marshin e nacionalistëve të bardhë në Uashington

Më: 13 gusht 2018 Në ora: 10:58
Kundërprotestuesit e protestave raciste nga e djathta ekstreme në Uashington

Një marsh i nacionalistëve të racës së bardhë në zemër të Uashingtonit ka mbledhur dhjetëra protestues dhe mijëra kundërprotestues të dielën, në njëvjetorin e dhunës në Sharllotsvill të Virxhninas.

Në organizimin e nacionalistëve ishte planifikuar të merrnin pjesë rreth 400 persona, mirëpo në ditën e protestës kanë marrë pjesë vetëm rreth 20 prej tyre.

Protestat janë përcjellur me siguri të lartë, teksa janë ndaluar të gjitha armët e zjarrit në atë zonë.

Prezenca e madhe policore ka mbajtur të dyja palët në ndara në Sheshin Lafayette para Shtëpisë së Bardhë.

Pas dy orëve marsh, disa fjalimeve dhe shiut të rrëmbyeshëm, protesta ka përfunduar dhe policia ka dërguar protestuesit sërish në Virxhnia.

Organizimi i së dielës ka qenë disa herë më i vogël në krahasim me protestat në rrugë që kanë ndodhur një vit më parë në Sharllotsvill, në të cilat pati vdekur një grua, meqë një burrë ishte nisur me makinë drejt kundërprotestuesve.

Leja për mbajtjen e këtij marshi ishte refuzuar në Sharllotsvill këtë vit, mirëpo një të tillë është siguruar në Uashington.

Në krye të grupit të nacionalistëve ishte aktivisti i Virxhninas, Jason Kessler, i cili ka ndihmuar në organizimin e protestave vitin e kaluar në Sharllotsvill.

Ai është shfaqur me një grup të vogël të protestuesve nga një stacion i metrosë dhe me një flamur amerikan është nisur drejt Shtëpisë së Bardhë, të rrethuar nga policia.

Image
Policia ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve

Kundërprotestuesit në anën tjetër i kanë cilësuar marshuesit, nazistë.

Dan Haught, 54 vjeçar, nga Uashingtoni është bërë pjesë e protestave kundër nacionalistëve për herë të parë.

“Ne kemi dëshiruar t’i tregojmë botës se kemi tejkaluar numrin e tyre”, është shprehur Haught.

Çka ndodhi një vit më parë në Sharllotsvill?

Dhuna e vitit të kaluar në Sharllotsvill ishte shkaktuar nga zemërimi i nacionalistëve të racës së bardhë, pas planeve për të larguar një statujë të gjeneralit të Konfederatës, gjë që ka nxitur tronditje dhe tension në gjithë spektin publik.

Ky rast njëherësh ka shënuar një nga momentet më kritike në udhëheqësinë e presidentit amerikan, Donald Trump.

Në atë kohë, Trump pati thënë se ata janë “njerëz të mirë” në të dyja anët, duke nxitur kritika për barazim të kundërprotestusve me pjesëmarrësit e marshit, në mesin e të cilëve kanë qenë të ashtuquajturit neo-nazistë dhe supremacistë të bardhë.

Duke përkujtuar njëvjetorin e ngjarjeve në Sharllotsvill, Trump përmes një postimi në Twitter ka dënuar “të gjitha llojet e racizmit”.

Anti-fashistët dhe familjet

Kessler ka thënë se qëllimi i marshit të së dielës ka qenë mbrojtja e “fjalës së lirë për secilin” dhe ka fajësuar dhunën e vitit të kaluar në Sharllostvill.

Sipas tij, marshi i fundit është zhvilluar më mirë në krahasim me atë të një viti më parë.

“Secili ka pasur mundësinë e shprehjes dhe mendoj se kjo përbën përmirësim të madh në krahasim me Sharllotsvillin”, ka thënë Kessler për agjencinë e lajmeve, Reuters.

“Ky ka qenë shembull që është dashur të ndodhë. Ka qenë më i rëndësishëm se gjithçka tjetër”.

Kundërprotesta, e cila është zhvilluar në po të njëjten ditë është përbërë nga grupe të ndryshme, duke përfshirë anti-fashistët dhe pjesëtarë të moshave të ndryshme brenda familjes.

Sean Kratouil, 17 vjeçar, që jeton në Merilland, ka thënë se është bërë pjesë e protestës për t’i ndihmuar lëvizjes paqësore të anti-fashistëve.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij se në momentin që marshet kthehen në dhunë, kjo përbën pamje të keqe për anën e tij.

“Pikëpamja e publikut është çelësi”, ka thënë ai.

Një tjetër aktivisti 27 vjeçar, Grace Aheron u është bashkuar qindra banorëve të Sharllotsvillit, të cilët ishin mbledhur për të shënuar ngjarjet e përgjakshme të një viti më parë.

“Ne duam të kthejmë rrugët e qytetin tonë sërish, hapësirën tonë publike dhe gjithë qytetin”, ka thënë Aheron në një park.

Autoritetet në Sharllotsvill në anën tjetër kanë njoftuar se kanë arrestuar katër persona./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...