Proceset Cohen dhe Manafort komplikojnë problemet e presidentit Trump

Amerika

Proceset Cohen dhe Manafort komplikojnë problemet e presidentit Trump

Më: 23 gusht 2018 Në ora: 19:34
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders u mëshoi dje disa herë argumenteve të presidentit se ai nuk kishte bërë asnjë shkelje:

Shtëpia e Bardhë është hedhur në mbrojtje, tani që dy ish-bashkëpunëtorë të afërt të presidentit Trump u shpallën fajtorë për akte penale. Ish-avokati personal i presidentit, Michael Cohen pranoi fajësinë për shkelje të ligjeve mbi financimin e fushatave. Ndërkaq, ish-menaxheri i fushatës Trump, Paul Manafort u shpall fajtor nën akuzat se kishte kryer mashtrime në akte që nuk lidheshin me fushatën. Këto dy zhvillime të bujshme ka të ngjarë t’i rëndojnë problemet politike të presidentit ndërkohë që afrojnë zgjedhjet e nëntorit për Kongres:

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders u mëshoi dje disa herë argumenteve të presidentit se ai nuk kishte bërë asnjë shkelje:

“Siç e ka theksuar në disa raste presidenti, ai nuk ka bërë asnjë shkelje. Nuk janë ngritur akuza kundër tij. Fakti që Michael Cohen pranoi fajësinë nuk nënkupton që ai ka implikuar presidentin në ndonjë akt”.

Të martën në gjykatë, zoti Cohen tha se kishte përmbushur urdhrat e kandidatit presidencial, Trump për të paguar dy gra që të mos flisnin për marrëdhëniet me të para zgjedhjeve.

Avokati i Cohenit, Lanny Davis tha se klienti i tij mund të ketë edhe informata lidhur me hetimet që po zhvllon prokurori special Robert Mueller mbi Rusinë.

“Me ç’kam kuptuar unë, ai ka parë gjëra që do të jenë me interes për prokurorin special. Kështu mendoj. Të shohim”.

Në një tubim të martën në Virxhinian Perëndimore, zoti Trump sulmoi përsëri median dhe procesin hetimor mbi Rusinë:

“Lajmet e rreme dhe gjuetia e shtrigave lidhur me Rusinë… çfarë kombinimi. Ku e kanë bashkëpunimin e fshehtë? Vazhdojnë të kërkojnë, po kanë gjetur gjë?” 

Përkrahës të presidentit si Patti Beavers i besojnë zotit Trump:

“Ai po vë në plan të parë Amerikën. Ai po mban premtimet, ashtu siç ka thënë dhe besoj se kështu do të vazhdojë”.

Nën udhëheqjen e Senatorit Chuck Schumer, demokratët krijuan një linjë të re sulmi pas zhvillimeve në proceset kundër Cohen dhe Manafortit.

“Çfarë kënete… Kjo është më e keqe se këneta që ekzistonte para se të vinte në post Presidenti Trump. Ai nuk e thau kënetën. Ai e ka bërë edhe më të ndyrë e të infektuar,” tha Senatori Schumer.

Hija e proceseve ligjore mbi Shtëpinë e Bardhë duket se po errësohet thotë analistja Lara Brown:

“Është krijuar përshtypja që po merr hov si procesi hetimor i Prokurorit Special, Mueller, ashtu edhe pyetjet e shumta për korrupsion lidhur me presidentin, gjë që u bë e qartë nga pranimi i fajësisë nga Coheni”.

Po ashtu është krijuar edhe përshtypja që presidenti po ndeshet me një sërë problemesh të ndryshme, thotë gazetarja Julie Pace:

“Nuk e dimë se si do të ndikojë e gjithë kjo tek presidenca Trump. Nuk e dimë nëse republikanët dhe përkrahësit e tij do ta braktisin. Por tani jemi në një moment më kritik se sa gjatë problemeve të mëparshme që ka kaluar ai gjatë presidencës”.

Do të duhet kohë që të shohim çfarë rezultati politik dhe ligjor do të kenë zhvillimet e fundit, thotë analisti Paul Schiff Berman:

“Kjo nuk do të thotë medoemos se ndaj tij do të fillojë procesi për shkarkim nga posti. Po ashtu nuk është e garantuar që kjo do të sjellë humbje të mbështetjes tek baza e tij”.

Por dihet se këto probleme do të jenë një ndër temat që peshojnë votuesit kur të hedhin votat në zgjedhjet e nëntorit për Kongres. Për momentin anketat tregojnë se demokratët janë në avantazh./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat