Homazhet pas vdekjes, McCain nderohet si mik në Vietnam

Amerika

Homazhet pas vdekjes, McCain nderohet si mik në Vietnam

Më: 30 gusht 2018 Në ora: 11:03
Homazhet për McCain

Në Vietnam, vendi ku John McCain kaloi 5 vite të jetës së tij si i burgosur lufte, senatori i ndjerë i Arizonës nuk kujtohet sot si kundërshtar, por si mik.

“Herën e parë kur e pashë, – rrëfen për CNN-in Le Tran Lua, – kisha një thikë në duar dhe doja ta vrisja”.

“Sot jam shumë i trishtuar, – thotë 68-vjeçari. – Kam dashur shumë ta takoj edhe njëherë, sepse ai njeri ka qenë pjesë e një momenti tejet të rëndësishëm në jetën time”.

Lua ishte vetëm 17 vjeç, kur tetorin e vitit 1967, McCain, pilot i Marinës amerikane ishte në një mision bombardimi, por u godit nga një raketë tokë-ajër thellë në territorin armik dhe u detyra të lëshohej me parashutë.

Ai ra shumë pranë vendit ku ndodhej Lua, për të cilin kapja e një piloti amerikan ishte fitore e madhe, ndërsa për McCainin shënoi fillimin e kalvarit 5-vjeçar.

Sot, në vendin që e mbajti të burgosur, ai kujtohet me respekt. Pavarësisht atyre që kishte kaluar, John McCain, ashtu si dhe senatori John Kerry, punoi fort që dy vendet armike gjatë luftës të afroheshin me njëri-tjetrin.

E kjo nuk i është harruar. Një numër i madh vietnamezësh i kanë bërë homazhe, si në Ambasadën amerikane në Hanoi, ashtu edhe pranë një monumenti pranë liqenit Truc Bach, ku ra me parashutën e tij.

“E admiroja thellësisht, sepse ai e kuptoi çfarë ishte e drejtë dhe çfarë e gabuar, dhe u rreshtua në krahun e popullit vietnamez duke kapërcyer të shkuarën”, tha Pham Minh Chuc, veteran lufte.

McCain ndërroi jetë të shtunën në shtëpinë e tij në Arizona, në moshën 81-vjeçare, nga tumori në tru.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat