Lamtumira e fundit për legjendën e muzikës Aretha Franklin

Amerika

Lamtumira e fundit për legjendën e muzikës Aretha Franklin

Më: 2 shtator 2018 Në ora: 03:58
Lamtumira e fundit për legjendën e muzikës Aretha Franklin

Familjarë, dashamirës, njerëz të famshëm dhe udhëheqës të shquar politikë duke përfshirë ish presidentin amerikan Bill Clinton, ishin mes mijëra njerëzve që u mblodhën në Tempullin "Greater Grace" të Detroitit të premten, për një ceremoni funebre për të nderuar këngëtaren Aretha Franklin. Ceremonia me muzikë ë këngëtarëve të njohur si Stevie Wonder, Jennifer Hudson dhe Faith Hill ndër të tjerë, ishte herë e zymtë dhe herë e gëzuar, një nderim i përshtatshëm për jetën e këngëtares së shquar, të njohur rreth botës si “mbretëresha e muzikës spirituale”.

Image

...Ishte një ceremoni e përshtatshme për një mbretëreshë, ndoshta vetëm nga mënyra se si këngëtarja e njohur si “mbretëresha e muzikës spirituale” e kishte planifikuar – megjithëse nuk iu tregua kamerave televizive, ajo kishte veshur një fustan të gjatë me ngjyrë ari me këpucë të kuqe për veshjen e saj të fundit, brenda arkivolit të saj të artë.

Aktivisti i të drejtave civile Al Sharpton tha se beson se këngëtarja e madhe që humbi jetën nga kanceri pankreatik dy javë më parë, tashmë është në parajsë:

“Tani është koha për të kurorëzuar Mbretëreshën. Nuk ka kancer atje Aretha, dorëzo kryqin dhe merr kurorën që të përket” tha ai.

Pastori E.L Branch tha se ndikimi i Arethës u përhap shumë më larg se qyteti i saj i Detroitit, por ajo kurrë nuk i harroi rrënjët e saj:

“E cila preku aq shumë jetë, në të gjithë botën, përfshirë papë dhe presidentë. Muzika e saj ka pushtuar mendjet dhe zemrat tona, me ritmin dhe tekstet plot gjallëri. Ajo e filloi karrierën me ne dhe qëndroi me ne, në kohë të mira dhe të vështira”.

Shoku i saj i fëmijërisë, këngëtari Smokey Robinson, e falënderoi me këngë:

“Më mungon, mikja ime”.

Disa nga personat që mbajtën fjalime theksuan mbështetjen e Arethës për të drejtat civile, të drejtat e grave dhe për të gjithë njerëzit që nuk kishin aq sukses në jetën e tyre sa ajo.

“Ajo ishte një mbretëreshë e rrallë që nuk e humbi kurrë thjeshtësinë e saj. Ajo mund të këndonte me peliçe në skenën e Qendrës Kennedy para atyre me pushtet dhe pasuri, dhe prapë nuk i harronte sfidat e të varfërve”. - tha ish Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder.

“Ajo jetoi me guxim, jo pa frikë, por duke kapërcyer frikën. Ajo jetoi me besim, jo pa dështim, por duke kapërcyer dështimet e saj. Ajo jetoi me fuqi, jo pa dobësi, por duke i kapërcyer dobësitë e saj”, - tha ish Presidenti Bill Clinton.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder dhe ish-Presidenti Bill Clinton thanë se ishin fansa të mëdhenj të muzikës së saj dhe si shumë fansa të tjerë, po festonin jetën e një mbretëreshe që e meritoi kurorën e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat